Nis Konferenca e Sigurisë në Mynih, në fokus Ukraina dhe Lindja e Mesme
Konferenca vjetore treditore filloi në Mynih, duke pritur mbi 50 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 150 ministra nga e gjithë bota

Mynih
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih (MSC) ka filluar sot në Gjermani, duke sjellë dhjetëra liderë politikë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi sfidat më urgjente të botës, raporton Anadolu.
Konferenca vjetore treditore filloi në Mynih, duke pritur mbi 50 krerë shtetesh dhe qeverish dhe rreth 150 ministra nga e gjithë bota.
Në konferencë do të marrin pjesë shumë folës në skenë pas një hapjeje nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ata do të fokusohen në sfidat globale të sigurisë, duke përfshirë qeverisjen globale, qëndrueshmërinë demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, nënpresidenti i SHBA-së JD Vance dhe i dërguari special i presidentit amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, do të jenë ndër zyrtarët më të lartë që do të marrin pjesë në konferencën e nivelit të lartë.
Përveç bisedimeve të pritshme intensive mbi luftën në Ukrainë dhe planin e paqes të presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, konferenca do të trajtojë gjithashtu krizën e Lindjes së Mesme, procesin politik të Sirisë, konfliktet në Afrikë dhe tensionet në Azinë Juglindore.
Vance, Zelenskyy, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjithashtu do të mbajnë fjalime në konferencë.
Në mesin e folësve të tjerë janë shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar David Lammy, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Joly.
- Dita e parë e konferencës
Në ditën e parë të konferencës, von der Leyen do të flasë mbi temën “BE-ja në botë”, ndërsa Vance do të marrë pjesë në një sesion tjetër të titulluar “SHBA-ja në botë”.
Kryeministrja letoneze Evika Silina, ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen dhe ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard do të flasin më vonë gjatë ditës në një panel mbi përpjekjet kundër luftës hibride në Detin Baltik.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike Rafael Mariano Grossi pritet gjithashtu të trajtojë multipolaritetin bërthamor.
Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të marrë pjesë në një sesion të titulluar “Kina në botë”.
Të shtunën, në ditën e dytë të aktivitetit, pritet të zhvillohen debate për gjendjen e rendit ndërkombëtar, si dhe për konfliktet dhe krizat rajonale. E ardhmja e partneritetit transatlantik do të jetë gjithashtu fokusi i ditës së dytë të konferencës.
Aktiviteti do të përfundojë me diskutime mbi rolin e Evropës në botë në ditën e fundit të forumit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.