Islam Uddin
21 Dhjetor 2020•Përditësim: 21 Dhjetor 2020
Ligjvënësja pakistaneze Kalsoom Parveen mbrëmë vonë ka ndërruar jetë në kryeqytetin Islamabad si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Senatore nga provinca jugperëndimore Balochistan që nga viti 2015, Parveen përfaqësoi Lidhjen Muslimane të Pakistanit-Nawaz, grupin kryesor të opozitës. Ajo ka qenë në trajtim për sëmundjen për disa javë.
Presidenti Arif Alvi, kryetari i Senatit, Sadiq Sanjrani dhe ministri i Informacionit, Shibli Faraz, ndër të tjerët, shprehën ngushëllime mbi vdekjen e saj.
Me 1.792 infeksione të reja dhe 62 vdekje, numri i përgjithshëm i rasteve në vendin prej 220 milionësh ka arritur në 458.968, ndërsa i vdekjeve në 9.392.
Autoritetet kanë vendosur kufizime, përfshirë ndalimin e grumbullimeve të mëdha, për të frenuar valën e dytë të koronavirusit.