Mahmut Atanur
08 Shkurt 2018•Përditësim: 08 Shkurt 2018
XHAKARTË (AA) – Në provincën Açe, e cila ndodhet në ishullin Sumatra të Indonezisë ka ndodhur një tërmet me fuqi prej 5.3 ballë sipas Rihterit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Instituti Meteorologjik, Klimatik dhe Gjeofizik i Indonezisë (BMKG) njoftoi se epiqendra e tërmetit ishte 26 kilometra në verilindje të rajonit Açe Perëndimore. Bëhet e ditur se tërmeti është regjistruar në thellësi prej 10 kilometrash.
Sipas vlerësimeve të para tërmeti nuk ka shkaktuar humbje në jetë dhe pronë, kurse edhe BMKG dhe Qendra e Cunamit të Paqësorit nuk dhanë alarm për cunami.
Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën "Unaza e Zjarrtë e Paqësorit", ku pllakat tektonike përplasen dhe shkaktojnë aktivitete të shpeshta sizmike dhe vullkanike.
Si pasojë të një tërmeti në fuqi prej 9,1 ballë të ndodhur më 26 dhjetor të vitit 2004 dhe cunamit të ndodhur pas saj, humbën jetën 230 mijë persona.