Bota

Noa Argamani, penge e liruar, fajëson bombardimet izraelite për vdekjen e pengjeve në Gaza

Në dëshminë e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën në mbrëmje, Noa Argamani fajësoi qeverinë izraelite për vdekjen e penges Shiri Bibas, dy fëmijëve të saj dhe mikut të saj Yossi Sharabi

Rania R.a. Abushamala  | 26.02.2025 - Përdıtësım : 27.02.2025
Noa Argamani, penge e liruar, fajëson bombardimet izraelite për vdekjen e pengjeve në Gaza

Istanbul

Noa Argamani, një penge izraelite e liruar, e bëri përgjegjëse qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për vdekjen e disa robërve në Rripin e Gazës, duke thënë se lufta izraelite e ka kthyer enklavën në një “ferr të pastër” për të gjithë brenda, raporton Anadolu.

Në dëshminë e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën në mbrëmje, Argamani fajësoi qeverinë izraelite për vdekjen e penges Shiri Bibas, dy fëmijëve të saj dhe mikut të saj Yossi Sharabi.

Ajo i kërkoi komunitetit ndërkombëtar dhe qeverisë izraelite të punojnë për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në Gaza.

Argamani dhe tre robër të tjerë u liruan në qershor të vitit të kaluar në një sulm vdekjeprurës izraelit ku mbetën të vrarë të paktën 274 njerëz dhe rreth 700 të tjerë të plagosur, në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore.

Ajo tha se pengjet izraelite ishin të gjallë dhe përjetuan bombardime shkatërruese izraelite në enklavën palestineze.

Argamani konfirmoi se Sharabi ishte gjallë kur u kap nga grupi palestinez Hamas në tetor 2023, por më vonë u vra nga sulmet ajrore izraelite, ashtu si familja Bibas. Ajo deklaroi se të gjithë kanë mbetur nën rrënoja për shkak të bombardimeve.

“Një mbrëmje, shtëpia në të cilën ishim u hodh në erë dhe u gjendëm në shkatërrim. Yossi dhe unë kishim ngecur nën rrënoja. Nuk mund të lëvizja, nuk mund të merrja frymë. Mendova se do të ishte sekonda e fundit e jetës sime”, kujton ajo.

“E dëgjova edhe Yossin duke bërtitur. Por pas disa sekondash, nuk e dëgjova më. Më nxorrën nga rrënojat. U përpoqa të ndihmoja Yossin, por tashmë ishte tepër vonë”.

- Lutja e saj

Argamani i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe qeverisë së Netanyahut që të punojnë për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve.

"Është absolutisht kritike që ne t'i japim fund kësaj tragjedie të tmerrshme," tha ajo, duke shtuar: "Marrëveshja në Gaza duhet të vazhdojë, të përfundojë e plotë në të gjitha fazat".

Ajo shfaqi gjithashtu zhgënjimin e saj që nuk përfshihej në grupin e parë të pengjeve të liruar pas 50 ditëve të luftës, e as në ndonjë nga kategoritë e përcaktuara për lirim.

“Mua më lanë pas dore. Unë nuk isha pjesë e asnjë kategorie që mund të lirohej. Nuk mund të filloj as të përshkruaj ndjenjën e të qenit lënë pas dore”, tha ajo.

Dëshmia e saj ishte një lutje për qeverinë izraelite që të respektonte kushtet e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës me Hamasin dhe të vazhdonte me fazën e dytë të marrëveshjes, me shpresën për të siguruar lirimin e partnerit të saj, Avinatan Or, i cili mbetet rob në Gaza.

Faza e parë e marrëveshjes së Gazës hyri në fuqi më 19 janar, duke ndalur luftën izraelite që ka vrarë më shumë se 48.350 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.

Deri më tani, 25 pengje izraelite dhe katër kufoma janë dorëzuar nga Gaza në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë, sipas fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın