Bota

Numri i ushtarëve afrikano-jugor të vrarë në përleshjet në Kongo është rritur në 13

Në lindje të RDK-së, përleshje të dhunshme kanë ndodhur midis forcave të sigurisë dhe anëtarëve të M23, të cilët kanë marrë kontrollin e shumë zonave me rëndësi strategjike në rajon në javët e fundit

Murat Özgür Güvendik  | 28.01.2025 - Përdıtësım : 28.01.2025
Numri i ushtarëve afrikano-jugor të vrarë në përleshjet në Kongo është rritur në 13

Cape Town

Numri i ushtarëve të Afrikës së Jugut të vrarë në përleshjet e dhunshme me grupet rebele në lindje të Republikës Demokratike të Kongos (RDK) është rritur në 13, transmeton Anadolu.

Ushtria e Afrikës së Jugut është angazhuar në kuadër të Misionit të Komunitetit të Zhvillimit të Afrikës Jugore (SADC), një organizatë rajonale e vendeve të Afrikës. SADC mban 2,900 trupa në Kongo për të mbështetur Forcat e Armatosura të Republikës Demokratike të Kongos (FARDC) në luftën e tyre kundër grupeve të armatosura dhe për të rivendosur paqen në rajon.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Afrikës së Jugut (SANDF), Siphiwe Dlamini, në një deklaratë tha se katër ushtarë afrikano-jugor u vranë në përleshjet midis ushtarëve të misionit të SADC-së dhe anëtarëve të grupit rebel të Lëvizjes së 23 Marsit (M23) rreth qytetit Goma.

Dlamini tha se numri i ushtarëve të Afrikës së Jugut që u vranë në përleshjet që kanë vazhduar që nga 24 janari është rritur në 13.

Ai tha se po bëhen përpjekje për të kthyer në vend eshtrat e ushtarëve të Afrikës së Jugut që humbën jetën në RDK, duke shtuar: "Kthimi i trupave do të jetë i mundur vetëm pasi të përfundojë procesi i autopsisë. Për shkak të gjendjes së paqëndrueshme në DRC, ne nuk mund të japim një datë se kur mund të kthehen trupat".

Në lindje të RDK-së, përleshje të dhunshme kanë ndodhur midis forcave të sigurisë dhe anëtarëve të grupit M23, të cilët kanë marrë kontrollin e shumë zonave me rëndësi strategjike në rajon në javët e fundit.


- Konfliktet në RDK

Për shkak të konflikteve të dhunshme që vazhdojnë në lindje të RDK-së mes grupit M23 dhe forcave të sigurisë, që nga fillimi i vitit e deri më tani janë zhvendosur mbi 400 mijë njerëz.

Pasi mori kontrollin e shumë fshatrave dhe qyteteve në rajon, M23 së fundi rrethoi qytetin Goma, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ujin për qytetin i cili ka një popullsi prej rreth 1 milion banorësh.

Kombet e Bashkuara dhe Republika Demokratike e Kongos akuzojnë Ruandën për mbështetjen e grupit M23, ndërsa Ruanda i mohon pretendimet.

Grupi doli në skenë me prishjen e marrëveshjes së paqes të nënshkruar më 23 mars 2009 nga vendet e rajonit me qëllimin për të garantuar sigurinë në lindje të Kongos, ndërsa më pas ky grup filloi të përkujtohej si M23.

Ky grup përbëhet kryesisht nga fisi Tutsi, pjesëtar i të cilit është edhe presidenti i Ruandës, Paul Kagame.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.