Bota

Në Bruksel do të mbahet samiti i 5-të BE-Ballkani Perëndimor

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen për herë të pestë me krerët e qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare të BE-së

Selen Valente Rasquinho  | 17.12.2024 - Përdıtësım : 18.12.2024
Në Bruksel do të mbahet samiti i 5-të BE-Ballkani Perëndimor

Bruksel

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, do të takohen nesër në Bruksel, raporton Anadolu.

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen për herë të pestë me krerët e qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Samiti do të jetë takimi i parë që do të drejtohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili mori detyrën më 1 dhjetor.

Një zyrtar i lartë i BE-së i cili dha informacion për Anadolu lidhur me agjendën e samitit, tha se fokusi i përgjithshëm do të jetë në marrëdhëniet e BE-së me gjashtë vendet.

Duke deklaruar se çështja e zgjerimit nuk do të jetë në rendin e ditës, por do të diskutohet në mënyrë indirekte, zyrtari u shpreh se "Ka edhe një kontekst gjeopolitik të këtij samiti që e bën atë edhe më interesant. Lufta në Ukrainë dhe ndikimi rus në shumë pjesë të Evropës, përfshirë Ballkanin Perëndimor e bën më të rëndësishme se kurrë që ne të forcojmë marrëdhëniet tona me partnerët tanë në këtë rajon".

Zyrtari vuri në dukje që edhe pse pranimi i gjashtë vendeve në BE nuk do të diskutohet drejtpërdrejt, samiti është "padyshim një mundësi e mirë për të riafirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE".

Duke thënë se në seancën e parë të samitit do të diskutohen çështjet politike ndërsa në sesionin e dytë çështjet ekonomike, zyrtari theksoi se mbështetja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon dhe zbatimi i planit të rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh për rajonin do të jenë tema të rëndësishme.

"Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane. E ardhmja e tyre do të jetë brenda BE-së. Mendoj se ky është mesazhi politik që duhet të dalë nga ky samit", tha zyrtari.

Në Ballkanin Perëndimor, 5 shtete me përjashtim të Kosovës janë vende kandidate për në BE. Ndërsa Kosova ka status kandidat potencial.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor u mbajt për herë të fundit më 13 dhjetor 2023. BE-ja dha mesazhin se "Ne mbështesim anëtarësimin tuaj, por presim reforma".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.