Ata Ufuk Şeker,Selen Valente Rasquinho
14 Dhjetor 2023•Përditësim: 14 Dhjetor 2023
Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën në Bruksel për të diskutuar çështjet për Ukrainën, konfliktin Izrael-Palestinë, zgjerimin dhe çështjen e buxhetit, raporton Anadolu.
Samiti i Liderëve të BE-së që mbahet në Bruksel me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së, kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Samiti filloi më vonë nga se ishte planifikuar për shkak të takimit që Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, zhvilluan me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
Për herë të parë, Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, nuk dhanë deklaratë për shtyp në hyrje të një samiti.
Në sesionin e parë të samitit do të diskutohet vazhdimi i mbështetjes për Ukrainën dhe fillimi i negociatave të anëtarësimit.
Orban ka njoftuar se do të vendosë veto për sigurimin e mbështetjes financiare shtesë me 50 miliardë euro dhe fillimin e negociatave.
Ka kuriozitet se si do të reflektojnë mbi vendimin që samiti do të marrë për Ukrainën, rezultatet nga takimi që Michel, Von der Leyen, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, zhvilluan para samitit me Orbanin.
Pas Ukrainës do të diskutohet propozimi për ndryshimin në buxhet. Një pjesë e vendeve të BE-së kanë qasje të distancuar nga rritja e buxhetit të unionit dhe kontributeve që ato sigurojnë.
Liderët do të zhvillojnë gjithashtu një diskutim gjithëpërfshirës mbi zgjerimin e ardhshëm të BE-së, bazuar në raportet e vendeve që Komisioni Evropian ka shpallur muajin e kaluar.
Liderët e BE-së, do të vlerësojnë edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe do të përpiqen të caktojnë një qëndrim të përbashkët për konfliktin Izrael-Palestinë.