Në mungesë të karburantit, palestinezët mbledhin lëndë djegëse nga mbeturinat
Fëmijët palestinezë mbledhin plastikë dhe dru nga grumbujt e plehrave për të siguruar nevojat e familjeve të tyre

Shkup
Mungesa e karburantit vazhdon në Rripin e Gazës, i cili është nën bllokadën dhe sulmet izraelite, raporton Anadolu.
Fëmijët palestinezë mbledhin plastikë dhe dru nga grumbujt e plehrave për të siguruar nevojat e familjeve të tyre. Për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve të komunës, mbeturinat grumbullohen në zona afër vendbanimeve.
Mungesa e shërbimeve komunale në qytetin e Gazës rrit ndotjen e mjedisit të shkaktuar nga mbetjet e ndryshme.
Më 18 mars, ushtria izraelite nisi një fushatë të befasishme ajrore ndaj Gazës, duke vrarë që atëherë mbi 1.800 palestinezë dhe duke plagosur mbi 4.800 të tjerë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve që u arrit në muajin janar.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, të paktën 51.201 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.