Në përgjigjen e parë ndaj shkeljeve të armëpushimit, Hezbollahu shënjestron bazën izraelite në Kfar Shoub
Hezbollahu kreu sulm si "paralajmërim paraprak mbrojtës" në vendndodhjen ushtarake izraelite në Kfar Shuba, duke përmendur shkeljet e përsëritura të marrëveshjes së armëpushimit nga Izraeli
Bejrut
Hezbollahu tha sot se ka shënjestruar postën ushtarake izraelite Roueissat Al-Alam në kodrat e pushtuara Kfar Shuba, duke e përshkruar veprimin si një “paralajmërim paraprak mbrojtës” në përgjigje të shkeljeve të vazhdueshme izraelite të marrëveshjes së armëpushimit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Hezbollahu përmendi shkelje të shumta, duke përfshirë të shtënat izraelite me armë ndaj civilëve, sulme ajrore në gjithë Libanin që kanë rezultuar në viktima civile dhe shkelje të vazhdueshme të hapësirës ajrore libaneze, madje edhe mbi kryeqytetin Bejrut.
Grupi tha se apelet drejtuar autoriteteve përkatëse nuk kishin arritur të ndalonin këto shkelje, duke shtuar: “Është dhënë një paralajmërim”.
Sipas Radios së Ushtrisë Izraelite, Hezbollahu gjuajti dy raketa në drejtim të zonës Har Dov (Fermat Shebaa), që të dyja ranë në fusha të hapura pa shkaktuar lëndime.
Në X, ministri izraelit i Financave Bezalel Smotrich i quajti veprimet e Hezbollahut një “gabim i rëndë” dhe kërkoi një përgjigje të fortë ushtarake për të “ndryshuar ekuacionin” dhe për t’i dhënë fund asaj që ai e përshkroi si një epokë “përmbajtjeje”.
Benny Gantz, kreu i Partisë Qëndrueshmëria e Izraelit, i bëri jehonë Smotrichit të së djathtës ekstreme, duke paralajmëruar se dështimi për t’u përgjigjur me vendosmëri mund të çojë në një kthim në “epokën e ekuacioneve”.
Të mërkurën e kaluar, një marrëveshje armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi, që synonte t’i jepte fund luftimeve 14-muajshe midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut.
Por që kur hyri në fuqi, media libaneze ka raportuar rreth 73 shkelje izraelite të marrëveshjes së armëpushimit.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të Linjës Blu, kufirit de fakto, në një mënyrë me faza, ndërsa ushtria libaneze vendos forcat e saj në Libanin jugor brenda një maksimumi prej 60 ditësh.
Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.
Gati 4.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 16.500 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.