Aliia Raimbekova
03 Korrik 2023•Përditësim: 04 Korrik 2023
Kreu i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Këshillit të Federatës, Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, Grigory Karasin tha se 700 mijë fëmijë të ardhur nga rajonet e konfliktit në Ukrainë ndodhen në Rusi, transmeton Anadolu.
Në një postim nga llogaria e tij në median sociale, Karasin pretendon se Qeveria e Kievit përpiqet të "krijojë problem" lidhur me çështjen e fëmijëve.
Karasin ka mbrojtur idenë e tij se "Rusia ndryshe nga disa vende evropiane i trajton fëmijët me kujdes dhe ngrohtësi". "Në vendin tonë janë strehuar 700 mijë fëmijë të cilët janë larguar nga rajonet e konfliktit në Ukrainë vitet e fundit. Shumica e tyre janë me familjet e tyre ndërsa edhe fëmijët në jetimore janë bashkë me mësuesit e tyre", tha Karasin.
Ukraina akuzon forcat ruse për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas në rajonet Luhansk dhe Donetsk.
Sipas portalit të Ministrisë së Riintegrimit të Territoreve të Pushtuara Përkohësisht të Ukrainës të krijuar me qëllimin e gjetjes dhe shpëtimit të fëmijëve, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022 e deri më tani jashtë vendit janë dërguar në mënyrë të paligjshme 19.492 fëmijë ukrainas.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se numri i fëmijëve ukrainas të dërguar në Rusi në mënyrë të paligjshme mund të jetë më shumë se 19 mijë, sepse në territoret ukrainase nën kontrollin e Rusisë ndodhen të paktën 200 mijë fëmijë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) njoftoi lëshimin e një urdhër arresti ndaj presidentit rus Vladimir Putin dhe Komisioneres ruse për të Drejtat e Fëmijëve, Maria Lvova-Belova lidhur me rrëmbimin e fëmijëve ukrainas në Rusi gjatë luftës Rusi-Ukrainë.
Në deklaratë thuhet se edhe dy të dyshuar kanë marrë pjesë në krimin e dërgimit të paligjshëm të fëmijëve ukrainas në Rusi dhe se Putin është mbajtur përgjegjës me arsyetimin se ai nuk i ka penguar personat nën kontrollin e tij për kryerjen e këtij krimi.
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal e ka cilësuar si "një hap të rëndësishëm në rrugën e drejtësisë" vendimin e lëshuar nga GJNP-ja për arrestimin e Putinit.