Fatjon Cuka
01 Maj 2017•Përditësim: 02 Maj 2017
TIRANË (AA) - Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtoreve, kreu i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka mbajtur një fjalim në çadrën e vendosur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë, ku qëndrojnë përkrahësit e opozitës, ndërsa pjesë ishin edhe punonjës të sektorit privat. Ai në fjalën e tij është ndalur tek gjendja e biznesit në vend, si dhe tek qëndrimet e opozitës rreth protestës, raporton Anadolu Agency (AA).
"1 Maj nuk mund të jetë festë. Ndërmarrjet e mëdha dhe investitorët e huaj po shikojnë si të largohen. Biznesi i vogël është në një gjendje të paprecedentë dhe gjitha kjo shfryhet tek vendet e punës", theksoi Basha.
Duke folur për protestën që vazhdon që prej 18 shkurtit Basha tha se "Mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet për të kulmuar më 18 qershor. Ky bashkim qytetar e ka bërë zgjedhjen e tij."
Ndërkohë, Avokati i Popullit i Republikës së Shqipërisë, Igli Totozani, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka publikuar nëpërmjet një deklarate një mesazh, ku thekson se pavarësisht masave të marra deri tani, duhet bërë më shumë edhe për ndalimin e punës në “të zezë” apo të punës pa sigurime shoqërore e shëndetësore. Sipas tij, ky fenomen barasvlerëson me zero kontributin e individit, duke sjellë pasoja të rënda financiare për të ardhmen.
Sipas Avokatit të Popullit, drejtuesit e institucioneve dhe vendimmarrësit duhet të fokusojnë vëmendjen në drejtim të punësimit, e sidomos të krijimit të më shumë hapësirave për të rinjtë, të sapodiplomuarit që kanë nevojë për mbështetje dhe eksperiencë.
"Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve është momenti për të kërkuar zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, por edhe të krijimit të më shumë mundësive të trajnimit dhe përfshirjes në skemat e punësimit të grupeve vulnerabël, në mënyrë që edhe këta qytetarë të gjejnë veten përmes punës dhe të ndërtojnë të ardhme të sigurta dhe të qëndrueshme për veten dhe familjet e tyre", ka theksuar Totozani.
Ndërkohë organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e punonjësve dhe sindikatat e ndryshme në disa qytete të vendit kanë organizuar aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.