Ahmet Karaahmet, Mehmet Burak Karacaoğlu
08 Shtator 2021•Përditësim: 08 Shtator 2021
Sipas të dhënave paraprake 4 civilë kanë humbur jetën, si dhe 2 të tjerë janë plagosur në sulmet që regjimi i Assad-it në Siri ndërmori në qendrën e qytetit Idlib në veriperëndim të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Forcat e regjimit, të përbëra nga ushtria e regjimit dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani të vendosura në komunën Seraqib në lindje të Idlibit, sulmuan qendrën e Idlibit me armë.
Sipas informacionit të marrë nga ekipet e Mbrojtjes Civile (Beretat e Bardha), në sulmin e kryer në qendër të qytetit Idlib sipas të dhënave paraprake kanë humbur jetën 4 civilë, përfshirë një grua si dhe janë plagosur 2 të tjerë.
Gjithashtu bëhet e ditur se personat e plagosur janë dërguar në spitalet përreth.
Po ashtu informohet se 4 civilë u plagosën në sulmin ajror që avionët ushtarakë të Rusisë kryen brenda ditës në një kamp në zonën Ma‘arrat Misrin të Idlibit.
Situata në Idlib
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana u shpallën "4 zona të deeskalimit", përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.
Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë vendbanime të mëdha brenda rajonit të deeskalimit në Idlib.
Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në kryeqytetin rus, Moskë.
Armëpushimi i shkelur herë pas here nga ana e forcave të regjimit, respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.