Ahmet Karaahmet, Mehmet Burak Karacaoğlu
19 Gusht 2021•Përditësim: 19 Gusht 2021
Të paktën 5 civilë kanë humbur jetën, si dhe 4 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit të regjimit të Assad-it dhe mbështetësve të tij ndaj zonës së deeskalimit në Idlib, duke shkelur armëpushimin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Forcat e regjimit, të përbëra nga ushtria e regjimit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani të vendosura në rrethin Ma'arrat al-Nu'man në juglindje të Idlibit, shënjestruan fshatin Mashun në jug të Idlib.
Sipas informacionit të marrë nga ekipet e Mbrojtjes Civile, si pasojë e sulmit në fshatin Mashun në rajonin Jebel Zawiye, deri më tani kanë humbur jetën 5 civilë, përfshirë 4 fëmijë dhe 4 civilë tjerë që u plagosën u dërguan në spitalet përreth.
- Gjendja në Idlib
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana u shpallën "4 zona të de-eskalimit", përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), pjesën veriore të qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.
Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë, morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit.
Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin.
Forcat e regjimit dhe Rusisë në maj 2019 filluan operacionet për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin dhe morën nën kontroll shumë vendbanime të mëdha në rajonin e de-eskalimit në Idlib.
Së fundmi, Turqia dhe Rusia siguruan një marrëveshje të re më 5 mars 2020 në kryeqytetin rus, Moskë.
Armëpushimi i shkelur herë pas here nga ana e forcave të regjimit, respektohet në masë të madhe. Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në afërsi të kufirit me Turqinë për shkak të sulmeve të Rusisë dhe forcave të regjimit.