Büşra Nur Bilgiç
10 Dhjetor 2019•Përditësim: 11 Dhjetor 2019
Ceremonia e Çmimit Nobel është mbajtur nën hijen e kritikave shkaku i vendimit për ndarjen e çmimit të letërsisë të këtij viti për Peter Handke, një shkrimtari austriak që mohon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës, transmeton Anadlu Agency (AA).
77-vjeçarit Handke iu nda Çmimi Nobel për Letërsi përkundër përkrahjes së tij të hapur për presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 në Gjykatën Ndërkombëtare në Hag teksa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid.
Ai pretendoi se boshnjakët muslimanë në Sarajevë kishin vrarë veten e tyre, duke shtuar se ai kurrë nuk besoi se serbët kishin kryer gjenocid në Srebrenicë.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, Mbreti i Suedisë, Carl Gustaf, ndau çmimet në kryeqytetin Stokholm.
Pas ceremonisë së ndarjes së çmimit pasoi një banket në Sallën e Qytetit Stokholm, ku laureatët darkuan me anëtarët e familjes mbretërore suedeze.
James Peebles, Michel Mayor dhe Didier Queloz u nderuan me çmimin e fizikës.
Në kimi, çmimi u nda për John B. Goodenough, M. Stanley Whittingham dhe Akira Yoshino.
William Kaelin Jr., Peter J. Ratcliffe dhe Gregg L. Semenza fituan çmimin për mjekësi.
Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer fituan çmimin në ekonomi.
Mbreti Haraldi i V-të i Norvegjisë, Mbretëresha Sonja, Princi i Kurorës Haakon dhe Princesha e Kurorës Mette-Marit ishin po ashtu të pranishëm në këtë ceremoni.
Disa vende bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Të dërguarit e Kosovës, Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në Suedi nuk morën pjesë në ceremoni.
Shumë njerëz dolën në rrugë për të protestuar.
Javën e kalar, Gun-Britt Sundstrom, dikur anëtare e Komitetit të Çmimit Nobel për Letërsinë, njoftoi dorëheqjen e saj për vendimin e diskutueshëm për ndarjen e çmimit shkrimtarit Handke.
Sundstrom tha se komiteti mbrojti zgjedhjen për shkrimtarin Handke, duke theksuar se letërsia qëndron mbi politikën dhe shtoi se ajo nuk është pjesë e asaj “ideologjie”.
Gazetarët dhe akademikët ndërkombëtarë, që u tubuan dje në Stokholm, i bën thirrje Komitetit të Çmimit Nobel të ndryshojë mendimin për dhënien e çmimit tek Handke.
Peter Handke
Shkrimtari austriak Handke ka lindur në vitin 1942 në fshatin Griffen në rajonin Karnten në jug të Austrisë. Nga viti 1961 ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Grazit. Por i ndërpreu studimet disa vjet më vonë kur e publikoi novelën, "Die hornissen", në vitin 1966.
Përzgjedhja e Handke-s si laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 shkaktoi reagime në rajon dhe më gjërë.
Handke i cili ishte një admirues i madh i Millosheviqit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar "Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë".
Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.
Ai gjithashtu kishte vizituar në burg Milloseviqin dhe kishte bërë përpjekje për të dëshmuar në favor të tij.
Handke poashtu kishte marrë pjesë në varrimin e Millosheviqit në vitin 2006, ku në fjalim ishte shprehur se "Këtu gjendem për Jugosllavinë, Serbinë, Sllobodan Millosheviqin".