Bota

Nëntë izraelitë të lënduar pas sulmit raketor nga Jemeni

Grupi Huthi tha se gjuajti një raketë balistike hipersonike në një objektiv ushtarak në Jaffa në Izraelin qendror

Ahmed Asmar  | 25.12.2024 - Përdıtësım : 25.12.2024
Nëntë izraelitë të lënduar pas sulmit raketor nga Jemeni

Izrael

Nëntë izraelitë u lënduan teksa po vraponin për strehim pas sulmit me raketa nga Jemeni herët gjatë ditës së sotme, tha media izraelite, transmeton Anadolu.

Mbrojtja ajrore interceptoi një raketë balistike të gjuajtur nga Jemeni përpara se të hynte në hapësirën ajrore izraelite, njoftoi transmetuesi publik izraelit KAN.

Sulmi shkaktoi aktivizimin e sirenave në zonën metropolitane të Tel Avivit, me nëntë persona të lënduar ndërsa po vraponin për strehim, tha KAN.

Një deklaratë ushtarake konfirmoi se një raketë nga Jemeni u interceptua përpara se të hynte në hapësirën ajrore izraelite.

Grupi Huthi, nga ana e tij, tha se gjuajti një raketë balistike hipersonike në një objektiv ushtarak në Jaffa në Izraelin qendror.

Zëdhënësi ushtarak Yahya Saree tha se raketa "godi objektivin e saj", duke premtuar më shumë sulme kundër objektivave izraelite deri në përfundimin e luftës vdekjeprurëse izraelite në Rripin e Gazës.

Të hënën, grupi jemenas tha se kishte lëshuar dy dronë luftarakë drejt objektivave ushtarakë në Jaffa dhe Ashkelon në Izrael.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të dielën se do të veprojë kundër Huthive në Jemen.

Grupi jemenas ka vënë në shënjestër anijet izraelite të ngarkesave ose ato të destinuara drejt Tel Avivit në Detin e Kuq me raketa dhe dronë në shenjë mbështetjeje për Rripin e Gazës, ku mbi 45.300 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga 7 tetori 2023.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın