Dilara Karataş
14 Mars 2023•Përditësim: 15 Mars 2023
Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador i ka përshkruar paralajmërimet e qeverisë amerikane për udhëtimet në Meksikë si një fushatë shpifjeje, duke thënë se vendi i tij është më i sigurtë se SHBA-ja, raporton Anadolu.
"Njerëzit mund të udhëtojnë të sigurtë në Meksikë. Në këtë aspekt nuk ka asnjë problem edhe për qytetarët e SHBA-së dhe qytetarët tanë e dinë shumë mirë këtë", tha Lopez Obrador.
Duke thënë se politikanët konservatorë në SHBA po përpiqen ta portretizojnë Meksikën si një shtet të dështuar, Lopez Obrador tha se në këtë mënyrë ata duan të minojnë suksesin e administratës së tij.
Ai më tej tha se SHBA-ja po përpiqet të krijojë perceptimin e mosbesimit duke thënë se qeveria meksikane nuk punon.
Duke shtuar se vitet e fundit shumë amerikanë janë shpërngulur në Meksikë, Lopez Obrador paralajmërimet e SHBA-së për udhëtime i përshkroi si të pabaza.
"Kjo është një fushatë shpifjeje. Meksika është më e sigurtë se SHBA-ja", tha Lopez Obrador.
Së fundmi, katër shtetas amerikanë janë zhdukur në Meksikë, dy prej të cilëve u gjetën të vdekur. SHBA-ja ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët e saj që udhëtojnë në Meksikë.