Ekip
01 Tetor 2020•Përditësim: 02 Tetor 2020
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se përhapja e virusit Ebola në provincën Ekuator të Republikës Demokratike të Kongos (DRC) duket se është ngadalësuar, pasi nuk janë zbuluar raste të reja të konfirmuar që nga 18 shtatori, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në buletinin javor të emergjencave, Zyra e OBSH-së në Afrikë tha se sfidat mbeten rreth financimit dhe personelit të papërshtatshëm për reagim, veçanërisht në zonat e pikave të nxehta si dhe rreth problemeve të kontrollimin në pikat e kontrollit në këtë vend të Afrikës Qendrore.
"Megjithatë, përderisa ka ende raste të konfirmuara në përgjithësi në komunitet si dhe vështirësi me varrime të sigurta dhe dinjitoze, rreziqet e transmetimit ende mbeten. Ekziston një nevojë për të mbështetur një sistem të fortë dhe të fuqishëm të mbikëqyrjes në mënyrë që të zbulojë, izolojë, testojë dhe trajtojë rastet e reja të dyshuara sa më shpejtë të jetë e mundur", tha OBSH-ja.
Shpërthimi i 11-të i virusit Ebola në RD të Kongos filloi në rajonin e Ekuatorit në fillim të muajit qershor dhe prej asaj kohe është përhapur në 12 nga 17 zonat e saj shëndetësore, me mbi 120 raste dhe 50 vdekje të raportuara deri më tani.
Në muajin maj, OBSH-ja dhe Qeveria e RD të Kongos deklaruan fundin e shpërthimit të 10-të të virusit Ebola në vend.
Abuzimi seksual nga punonjësit e ndihmës
Drejtori rajonal i OBSH-së në Afrikë, Matshidiso Moeti tha se pretendimet e përdorimit dhe abuzimit seksual nga punonjësit e ndihmës, të cilët e identifikuan veten se punonin për përgjigjen e virusit Ebola të OBSH-së në RD të Kongos janë thellësisht të tmerrshme dhe tronditëse.
Deklarata e shefit të OBSH-së për rajonin e Afrikës vjen pas raporteve të më shumë se 50 grave që akuzojnë punëtorë të OBSH-së dhe agjenci të tjera të ndihmës për përdorim dhe abuzim seksual në RD të Kongos.
Sipas raporteve, shumica e grave thanë se shumë burra i kishin propozuar apo i kishin detyruar të kryejnë marrëdhënie seksuale në këmbim të një pune ose iu kishin përfunduar kontratat kur ata kishin refuzuar.
"Unë mbështes fuqimisht vendimin e drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, për të filluar një rishqyrtim të plotë të pretendimeve", tha Moeti.
"Unë do të bëj gjithçka që mundem për të kontribuar dhe për të siguruar që një hetim i plotë, i drejtë dhe transparent të ndodhë brenda kohës sa më të shkurtër të mundshme dhe që çdo autor i këtyre akteve revoltuese të përballet me pasoja të rënda", shtoi Moeti.