OBSH: Spitali Baptist Al-Ahli i sulmuar nga Izraeli nuk mund të riparohet për shkak të bllokadës
"Dëmi i spitalit është aq i madh sa nuk është në gjendje të ofrojë asnjë shërbim apo të pranojë pacientë të rinj", tha zëdhënësja e OBSH-së, Margaret Harris

Gjenevë
Zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Margaret Harris njoftoi se Spitali Baptist Al-Ahli në Gaza, i cili ishte jashtë funksionit si rezultat i sulmeve izraelite, nuk mund të rinovohet për shkak të bllokadës izraelite, raporton Anadolu.
Harris në përgjigjen me shkrim për Anadolu rreth kësaj çështjeje tha se 40 pacientë ende nuk mund të transferohen në një spital tjetër. Ajo shtoi se disa anëtarë të personelit mjekësor mbetën atje për t'u kujdesur për ta.
"Dëmi i spitalit është aq i madh sa nuk është në gjendje të ofrojë asnjë shërbim apo të pranojë pacientë të rinj. Repartet e laboratorit dhe radiologjisë janë dëmtuar shumë. Bllokada izraelite do të thotë që asnjë pajisje ose pjesë zëvendësuese nuk mund të dërgohet për riparim", tha Harris.
Më 13 prill, ushtria izraelite sulmoi Spitalin Baptist Al-Ahli ndërsa një vajzë e plagosur e cila u evakuua me forcë nga spitali ndërroi jetë.
Përveç kësaj, ushtria izraelite shënjestroi tre shkolla dhe rrethinat e tyre ku palestinezët e zhvendosur po qëndronin në lagjet Tuffah dhe Sheikh Ridwan gjatë sulmeve që filluan natën.