Ekip
23 qershor 2020•Përditësim: 23 qershor 2020
Programi Botëror i Ushqimit (WFP), që vepron nën Kombet e Bashkuara (OKB), ka deklaruar se lufta e Sirisë së bashku me koronavirusin e ri (COVID-19) ka çuar qindra mijëra refugjatë shumë më thellë në varfëri, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Shumica kanë ikur në Turqi, Liban, Jordan, Irak dhe Egjipt. Vetëm këto vende strehojnë mbi 5.5 milionë sirianë, grupin më të madh të refugjatëve në botë", tha në një konferencë për media Elisabeth Byrs, zëdhënëse e WFP-së në Gjenevë.
Byrs tha se pasojat ekonomike kanë përkeqësuar ndikimin e koronavirusit mbi refugjatët.
"COVID-19 dhe rënia pasuese e ekonomisë ka çuar qindra refugjatë sirianë në rajon shumë më thellë në varfëri", tha Byrs, duke theksuar se edhe para pandemisë shumica e familjeve të refugjatëve jetonin në një varfëri ekstreme.
Numri i refugjatëve të prekur, të cilëve u mungojnë burimet thelbësore për të mbijetuar në mërgim, është rritur në mënyrë dramatike si rezultat i urgjencës së shëndetit publik.
Byrs tha se humbja e të ardhurave i ka shtyrë familjet e refugjatëve në një skaj dhe se shumë nuk janë në gjendje të paguajnë qiratë e tyre dhe janë të detyruar të marrin një borxh shtesë edhe duke shkurtuar ushqimin dhe ilaçet.
WFP tha se po ofron ndihmë për 1.8 milionë refugjatë dhe komunitete që i strehojnë ato, nga të cilat 1.2 milionë janë refugjatë sirianë.
Ndihma e WFP-së kryesisht realizohet përmes transferimit të parave të gatshme dhe kartave elektronike të ushqimit ose kuponave, që sipas tyre është programi më i gjerë i kuponave ushqimore humanitare në botë.
Më 21 qershor, Agjencia e OKB-së për Refugjatë tha se Turqia vazhdon të strehojë numrin më të madh të refugjatëve në të gjithë botën, pasi numri i njerëzve të shpërngulur me forcë në të gjithë botën për shkak të konfliktit, dhunës dhe persekutimit arriti nivele rekord.
WFP tha se ndaj koronavirusit dhe sëmundjeve të tjera të prekshëm janë veçanërisht refugjatët, për shkak të lëvizshmërisë së madhe gjeografike dhe jetesës në kushte të mbipopulluara, si dhe higjienës së pamjaftueshme, kanalizimeve dhe mungesës së qasjes së mirë në shëndetësi.