Servet Günerigök
22 Shkurt 2022•Përditësim: 22 Shkurt 2022
Stephanie Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka bërë të ditur se shefi i OKB-së e konsideron vendimin e Rusisë për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, si shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dujarric tha se Guterres po ashtu ka theksuar se vendimi nuk është në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së.
Ai tha se “sekretari i përgjithshëm është shumë i shqetësuar nga vendimi”, si dhe shtoi se Guterres apelon për zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainën lindore në përputhje me Marrëveshjet e Minskut, të miratuara nga Këshilli i Sigurimit të OKb-së në rezolutën 2202 në vitin 2015.
“OKB në përputhje, me rezolutat përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme, mbetet plotësisht në mbështetje për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, tha Dujarric.
Më tej, ai tha se Guterres u kërkon të gjithë aktorëve përkatës që të përqendrojnë përpjekjet e tyre në sigurimin e ndërprerjes së menjëhershme të armiqësive, në mbrojtjen e civilëve dhe infrastrukturës civile, “duke parandaluar çdo veprim dhe deklaratë që mund të përshkallëzojë më tej situatën e rrezikshme brenda dhe rreth Ukrainës dhe duke i dhënë përparësi diplomacisë për të adresuar të gjitha çështjet në mënyrë paqësore”.