Gözde Bayar
09 gusht 2019•Përditësim: 10 gusht 2019
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Popujve Indigjenë të Botës, Kombet e Bashkuara (OKB) theksuan se popujt autoktonë jetojnë në 90 vende me një popullsi të afër 370 milionë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas OKB-së, popujt indigjenë përbëjnë më pak se 5 për qind të popullsisë së botës dhe 15 për qind të popujve më të varfër në botë.
Për të rritur ndërgjegjësimin për nevojat e këtyre grupeve, që nga takimi i parë i Grupit të Punës së OKB-së për Popujt Indigjenë që u mbajt në Gjenevë në vitin 1982, kjo ditë e veçantë festohet çdo vit më 9 gusht.
Këtë vit, OKB u përqendrua në “gjuhën e popujve indigjenë”, duke theksuar kontributet e popujve autoktonë në larminë gjuhësore të botës dhe duke nderuar “Vitin Ndërkombëtar të Gjuhëve Indigjene”.
“Gjuhët luajnë rol të rëndësishëm në jetën e përditshme të njerëzve dhe janë thelbësore në fushat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes sigurimit të diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor”, tha OKB.
OKB theksoi se rreth 5 mijë nga 7 mijë gjuhët e folura në botë janë indigjene dhe se shumica e 2.680 gjuhëve të rrezikuara janë indigjene.
“Gjuhët indigjene po zhduken me një normë alarmante, secila duke marrë me vete një trashëgimi kulturore dhe intelektuale. Ne duhet t’i mbrojmë gjuhët nën kërcënimin e zhdukjes”, shkroi në Twitter Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.
OKB në njoftimin e saj tha se në përgjigje të këtyre kërcënimeve, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (UNGA) miratoi një rezolutë mbi “Të drejtat e popujve indigjenë” dhe shpalli këtë vit si “Viti Ndërkombëtar i Gjuhëve Indigjene”.
OKB shtoi se popujt autoktonë, të drejtat e të cilëve gjithmonë u janë shkelur, kërkojnë “njohjen e identitetit të tyre, mënyrën e tyre të jetesës dhe të drejtën e tyre për tokat, territoret dhe burimet natyrore”.
Duke theksuar se ato janë një nga “grupet më të pafavorshme dhe të cenueshme”, OKB kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të marrë masa të veçanta për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të ruajtur kulturat e tyre të dallueshme.