OKB: Pothuajse e pamundur të dërgohen ndihma në veri të Gazës
Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, Laerke tha se është pothuajse e pamundur të dërgohen ndihma në veri të Gazës, e cila është nën rrethimin "de facto" të Izraelit
Gjenevë
Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Jens Laerke tha se është pothuajse e pamundur të dërgohen ndihma në veri të Gazës, e cila është nën rrethimin "de facto" të Izraelit, transmeton Anadolu.
Në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, Laerke theksoi se ndihma humanitare e dërguar në Rripin e Gazës është në nivelet më të ulëta. "Kaosi, dhimbja, dëshpërimi, vdekja, shkatërrimi dhe shpërngulja janë në nivelin më të lartë në Gaza. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për situatën në veri të Gazës. Aktualisht ajo ndodhet nën rrethim dhe atje shpërndarja e ndihmës është pothuajse e pamundur", tha ai.
Pasi nënvizoi se operacionet e ndihmës në veri të Gazës pengohen, Laerke thotë se kamionët e ndihmave janë vendosur në shënjestër.
Zyrtarja e Lartë e Komunikimit e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Louise Waterridge tha se qasja e OKB-së në veri të Gazës që ndodhet nën rrethimin izraelit, është bllokuar dhe asnjë zyrtar i UNRWA-së nuk mund të arrijë në këtë rajon për më shumë se një muaj.