OKB: Që nga shkurti 2022, mbi 12 mijë civilë janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë
"U bëjmë thirrje të gjitha palëve të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve", tha Laurence duke shtuar se duhet të merren masa efektive për të kryer hetim të plotë dhe të paanshëm kur ka pretendime për shkelje
Gjenevë
Zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Jeremy Laurence tha se të paktën 12.162 civilë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022, transmeton Anadolu.
Ai theksoi se kanë kaluar 1.000 ditë që nga fillimi i luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në shkurt 2022 dhe se kjo është një "pikë kthese e zymtë". "Zyra jonë ka raportuar se të paktën 12.162 civilë janë vrarë që nga 24 shkurti 2022, prej të cilëve 659 fëmijë", tha Laurence.
Sipas tij, në këtë proces, shkeljet e të drejtave të njeriut janë bërë rutinë e përditshme si gjatë konfliktit ashtu edhe në zonat e pushtuara.
"U bëjmë thirrje të gjitha palëve të garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e civilëve", tha Laurence duke shtuar se duhet të merren masa efektive për të kryer hetim të plotë dhe të paanshëm kur ka pretendime për shkelje.
Laurence kujtoi se Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk përsëriti thirrjen e tij ndaj Rusisë që "të ndalojë menjëherë sulmet e armatosura dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj ushtarake nga Ukraina".
Türk dënoi sulmet e Rusisë që prekën shumë rajone të Ukrainës dhe synuan rrjetet e energjisë elektrike gjatë fundjavës.