Bota

OKB: Raportet për vendosjen e personelit ushtarak të Koresë së Veriut në Rusi janë shqetësuese

"Ne po ndjekim me shqetësim të madh raportet e fundit për vendosjen e personelit ushtarak të Koresë së Veriut në Rusi", tha zyrtari i OKB-së, Miroslav Jenca

Şerife Çetin  | 31.10.2024 - Përdıtësım : 01.11.2024
OKB: Raportet për vendosjen e personelit ushtarak të Koresë së Veriut në Rusi janë shqetësuese

New York

Kombet e Bashkuara (OKB) deklaruan se ndjekin me shqetësim të madh raportet e fundit për vendosjen e personelit ushtarak të Koresë së Veriut në Rusi, transmeton Anadolu.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (KS-OKB), u diskutua mbi zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë.

Ndihmëssekretari i përgjithshëm përgjegjës për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën në Departamentin e Çështjeve Politike të OKB-së, Miroslav Jenca, u shpreh se si pasojë e sulmeve të Rusisë, në të gjithë Ukrainën u shënuan më shumë viktima civile dhe se ka vazhduar dëmi kundrejt infrastrukturës civile.

Duke vënë në dukje se sulmet kundër civilëve dhe infrastrukturës civile janë të ndaluara nga ligji ndërkombëtar, Jenca tha se "Këto sulme janë të papranueshme kudo që ndodhin dhe duhet të përfundojnë menjëherë".

Jenca vuri në dukje se Lufta Rusi-Ukrainë krahas ndikimit shkatërrues që krijon mbi civilët në Ukrainë, vazhdon të nxisë tensionet dhe ndarjet rajonale dhe globale.

"Ne po ndjekim me shqetësim të madh raportet e fundit për vendosjen e personelit ushtarak të Koresë së Veriut në Rusi", tha Jenca, i cili shtoi se shqetësuese është edhe mundësia që personeli në fjalë të dërgohet në zonën e konfliktit.

Jenca bëri të ditur se OKB-ja nuk ka informacione shtesë për raportet për këtë çështje dhe se nuk është në gjendje të verifikojë apo konfirmojë raportet.

Pasi dha mesazhin se "Ne ftojmë të gjithë aktorët përkatës që të përmbahen nga hapat që mund të çojnë në përhapjen dhe intensifikimin e luftës në Ukrainë" Jenca kujtoi se edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka disa vendime lidhur me Korenë e Veriut.

"Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të respektojnë rezolutat e KS-OKB-së, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Korenë e Veriut", theksoi Jenca.

Duke tërhequr vëmendjen për rrjedhën e rrezikshme të përshkallëzimit të luftës në Ukrainë, Jenca vuri në dukje se kjo do të çonte në më shumë dhimbje, shkatërrim dhe ndarje të thella gjeopolitike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.