Aşkın Kıyağan
27 Qershor 2022•Përditësim: 27 Qershor 2022
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha se në vitin 2020, rreth 284 milionë njerëz të moshës 15 deri në 64-vjeç kanë përdorur narkotikë në mbarë botën, që është një rritje prej 26 për qind krahasuar me vitin 2010, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Vjenë, Zyra për Drogën dhe Krimin (UNODC) prezantoi "Raportin Botëror të Drogës 2022".
Në raport thuhet se përdorimi i drogës në periudhën 2010-2020 u rrit me 26 për qind dhe se 5.6 për qind e popullsisë 15-64 vjeç kanë përdorur lëndë narkotike.
Gjithashtu u theksua se ka pasur rritje serioze të numrit të atyre që kishin probleme shëndetësore dhe kishin nevojë për rehabilitim. Numri i atyre që kanë pasur probleme shëndetësore për shkak të përdorimit të drogës në 10 vitet e fundit është rritur në 38.6 milionë.
Raporti thotë se në botë në vitin 2020, gati 284 milionë njerëz konsumuan drogë dhe se disa individë kishin probleme serioze në gjetjen e opsioneve të trajtimit.
- Më së shumti u konsumua marijuana
Në nivel global, marijuana ishte droga më e konsumuar dhe në vitin 2020 u përdor nga 209 milionë njerëz, që është një rritje prej 23 për qind në 10 vitet e fundit.
Raporti thekson se 61 milionë njerëz kanë përdorur lloje të drogave sintetike të quajtura "opioidë" dhe 34 milionë kanë përdorur amfetamina. Rreth 20 milionë njerëz përdorën ekstazi dhe 21 milionë kokainë.
Raporti rendit gjithashtu problemet shëndetësore të shkaktuara nga përdorimi i drogës.
Më tej theksohet se në vitin 2020, 11.2 milionë njerëz kanë injektuar drogë dhe se mes tyre 1.4 milionë janë me HIV, 1.2 milionë janë me HIV dhe hepatit C dhe 5.5 milionë janë me hepatit C.
- Në vitin 2019, rreth gjysmë milioni vdekje
Po ashtu u shpërndanë informacione se në periudhën 2009-2019 numri i vdekjeve nga varësia ndaj drogës është rritur me 17.5 për qind.
Në vitin 2019, 494 mijë njerëz vdiqën si pasojë e lëndëve narkotike. Një rritje e veçantë e numrit të vdekjeve nga konsumimi i drogave sintetike vërehet në SHBA dhe Kanada. Si rezultat i konsumit të opioideve dhe substancave të ngjashme nga viti 2019 deri në vitin 2020, 93 mijë njerëz humbën jetën në SHBA.
Mbjellja e rrënjëve të kanabisit është e pranishme pothuajse në të gjitha vendet, ndërsa opiumi dhe pema koka, nga e cila prodhohet kokaina, prodhohen në vende të caktuara.
Rreth 95 për qind e prodhimit të opiumit në botë prodhohet në Afganistan, Mianmar dhe Meksikë ndërsa druri i kokas mbillet në Kolumbi, Peru dhe Bolivi.
Në raport thuhet se prodhimi i opiumit në vitin 2021 është ulur me 7 për qind krahasuar me një vit më parë dhe se janë prodhuar 7.930 tonë. Prodhimi i kokainës u rrit me 11 për qind në 1982 tonë më e larta ndonjëherë.
Gjatë pandemisë së COVID-19, nuk u shënua ndonjë rënie e ndjeshme e përdorimit të narkotikëve dhe tregtimit të tyre. Veçanërisht pas karantinës u rrit konsumi i drogave sintetike. Përveç kësaj, përdoruesit e drogës refuzojnë vaksinimin për arsye të ndryshme.