Rıyaz Khalıq
12 shkurt 2019•Përditësim: 12 shkurt 2019
ANKARA (AA) - Sulmet e DEASH-it janë reduktuar në vitin 2018, edhe pse organizata terroriste vazhdon të përbëjë kërcënim, thuhet në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti, i teti i OKB-së mbi grupin terrorist, është përgatitur nga Drejtoria Ekzekutive e Komitetit Kundër Terrorizmit (CTED) dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Terrorizmit (UNOCT).
Raporti, i paraqitur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të hënën, gjithashtu pohon se DEASH ka evoluar në një "rrjet terrorizmi të fshehtë", duke shtuar se "problemet në rritje të shkaktuara nga ekstremizmi i dhunshëm" vazhdojnë të paraqesin kërcënim për disa vende.
"Pavarësisht nga aktivitetet më të fshehta ose lokale të DEASH-it, lidershipi i saj qendror mban një ndikim dhe ruan qëllimin për të gjeneruar sulme të drejtuara ndërkombëtarisht dhe në këtë mënyrë luan një rol të rëndësishëm në avancimin e objektivave të grupit", citohet të ketë thënë në raport shefi i UNOCT, Vladimir Voronkov.
Në vitin 2014, DEASH mori nën kontroll pjesën më të madhe të Sirisë së veriut, së bashku me zona të mëdha të Irakut verior dhe perëndimor.
"Qendra e gravitetit të organizatës mbetet në Irak dhe Siri, me deri në 18.000 të mbetur në radhët e tyre, duke përfshirë rreth 3.000 luftëtarë të huaj", thuhet në raport.
Sipas Voronkov, prania e vazhdueshme e luftëtarëve të huaj në radhët e grupit e ka përkeqësuar gjendjen.
"Radikalizimi në mjediset e burgut shihet si një sfidë e veçantë në Evropë dhe Irak", ka paralajmëruar ai.
Duke i quajtur luftëtarët e huaj si "udhëtarë të frustruar", Voronkov ka thënë se ata kanë kontribuar në "kompleksitetin e kërcënimit".
Raporti sugjeron se grupi terrorist mund të "mbështesë operacionet e tij" përmes rezervave të qasshme, qoftë në para të gatshme, qoftë në investime në biznese që shkojnë në vlerë prej 50 milionë deri në 300 milionë dollarë.
"Edhe qelitë e DEASH-it raportohen të gjenerojnë të ardhura përmes aktiviteteve kriminale", ka alarmuar Voronkov.
Raporti gjithashtu thekson se grupi terrorist përbën ende një kërcënim për një numër të shteteve anëtare të OKB-së.
"Analiza e OKB-së tregon se niveli i kërcënimit të DEASH-it që vazhdon të zgjerohet veçanërisht në Afrikën Veriore, Perëndimore dhe Lindore, si dhe në Azinë Qendrore", citohet shefja e CTED, Michele Coninsx.
"Kampe të trajnimit janë identifikuar në Afganistan dhe në Azinë Juglindore, ku gratë dhe të rinjtë janë gjithnjë të mobilizuar për operacione terroriste në të gjithë rajonin", ka thënë ajo.
"Rindërtimi do të zgjasë shumë vite dhe do të kërkojë burime të rëndësishme, siç do të rivendosë dhe pajtojë komunitetet pas kaq shumë vitesh të konfliktit", ka shtuar Coninsx.
Shefja e CTED ka paralajmëruar se rritja e numrit të të dyshuarve terroristë në paraburgim përbën një rrezik që është "i vështirë për t'u vlerësuar dhe menaxhuar".
Coninsx po ashtu ka dhënë alarm kundër "aftësisë së grupit për të shfrytëzuar teknologjitë e reja, për të gjetur mënyra të reja për të financuar veten dhe për të gjetur rekrutë të rinj".