Burç Eruygur
16 Tetor 2023•Përditësim: 16 Tetor 2023
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, ka mbërritur në kryeqytetin e Ukrainës për një vizitë zyrtare, transmeton Anadolu.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani tha se është "duke dëshmuar ndikimin mbi fëmijët dhe arsimin në një shkollë në Kiev të shënjestruar nga sulmet e Federatës Ruse”.
Osmani u shpreh se kjo vizitë e tij është një kujtesë e "nevojës urgjente për paqe" dhe se Programi Mbështetës Jashtëbuxhetor i OSBE-së për Ukrainën ofron ndihmë psiko-sociale për fëmijët e prekur nga konflikti.
“Çdo fëmijë meriton siguri, arsim dhe të ardhme të ndritur,” shtoi ai.
Osmani më vonë zhvilloi bisedime me ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, pas çka ai shprehu mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së për "një paqe të drejtë për Ukrainën duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial".
Nga ana e tij, Kuleba tha se Kievi vlerëson "qëndrimin e fortë të kryesimit të Maqedonisë së Veriut në mbrojtje të parimeve të OSBE-së dhe në kundërshtim të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës".
"Unë kërkova gjithashtu mekanizma shtesë ndërkombëtarë për të siguruar kthimin e sigurt të të burgosurve civilë ukrainas", shtoi Kuleba.
Më herët gjatë ditës, në një deklaratë të OSBE-së u njoftua se Osmani gjatë vizitës së tij do të zhvillojë takime me “zyrtarë të nivelit të lartë qeveritar, deputetë, shoqërinë civile dhe stafin e Programit të OSBE-së për Mbështetjen Jashtëbuxhetore për Ukrainën”.
“Diskutimet do të fokusohen në sfidat më urgjente me të cilat përballen civilët për shkak të luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe rolit të vazhdueshëm të OSBE-së në mbështetjen e popullit, institucioneve dhe shoqërisë civile të Ukrainës”, thuhet më tej në deklaratë.