Bota

Përfundojnë bisedimet e para ndër vite Rusi-SHBA, Moska e vlerëson takimin si "produktiv"

Ndihmësi i presidentit rus Yury Ushakov tha se negociatat ishin produktive, ku Moska dhe Washingtoni ranë dakord të marrin në konsideratë interesat e njëri-tjetrit

Elena Teslova  | 18.02.2025 - Përdıtësım : 18.02.2025
Përfundojnë bisedimet e para ndër vite Rusi-SHBA, Moska e vlerëson takimin si "produktiv"

Moskë

Bisedimet midis Rusisë dhe SHBA-së për përmirësimin e lidhjeve, si dhe luftën në Ukrainë, përfunduan pas 4 orë e gjysmë, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media në margjinat e takimit në kryeqytetin saudit Rijad, që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror rus, ndihmësi i presidentit rus Yury Ushakov tha se negociatat ishin produktive, ku Moska dhe Washingtoni ranë dakord të marrin në konsideratë interesat e njëri-tjetrit.

"Megjithatë, data për një takim midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Trump ende nuk është përcaktuar dhe nuk ka gjasa të zhvillohet javën e ardhshme", tha Ushakov.

"Delegacionet e Rusisë dhe SHBA-së zhvilluan një diskutim serioz për të gjitha çështjet kryesore", tha ai.

Të dy palët ranë dakord të formojnë grupe pune për çështjen e Ukrainës. Ndërsa numri i anëtarëve dhe pjesëmarrësit specifikë ende nuk është vendosur, të dyja palët synojnë të vendosin kontakte shpejt, shtoi Ushakov.

Bisedimet midis Rusisë dhe SHBA-së kanë për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve, adresimin e konfliktit në Ukrainë dhe përgatitjen e një takimi midis presidentëve të dy vendeve.

Diskutimet, të mbajtura në Pallatin Diriyah dhe të organizuara nga Arabia Saudite për të mbështetur dialogun diplomatik, shënojnë takimin e parë midis diplomatëve rusë dhe amerikanë që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022.

Delegacioni rus u kryesua nga ministri i Jashtëm Sergej Lavrov dhe përfshin ndihmësit presidencialë Yury Ushakov dhe Kirill Dmitriev, si dhe kreun e Fondit të Investimeve Direkte Ruse.

Nga ana amerikane, delegacionin e kryesoi Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i shoqëruar nga këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Bisedimet nisën në prani të ministrit të Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan Al Saud.

Arabia Saudite u zgjodh si vendi i takimit sepse është i pranueshëm nga të dyja palët, tha më herët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se është herët për pjesëmarrjen evropiane në diskutimet për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.