Ekip
01 Tetor 2021•Përditësim: 01 Tetor 2021
Sirbaz Khan sot është bërë pakistanezi i parë që u ngjit në malin Dhaulagiri, mali i shtatë më i lartë në botë i cili ndodhet në Nepal, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Urime !! Sirbaz Khan, pakistanezi i parë që u ngjit me sukses 8.167 metra në malin Dhaulagiri", tha në një deklaratë Klubi Alpin i Pakistanit, organi shtetëror i alpinizmit i këtij vendi.
Ekspedita ishte pjesë e ambicies së Khan-it për të ngjitur të gjitha 14 majat mbi 8.000 metra në të gjithë botën. Ai tashmë është ngjitur në tetë maja mbi 8.000 metra, përfshirë Everestin dhe K-2, përkatësisht malet më të larta dhe të dyta më të larta në botë, shtoi deklarata.
Alpinisti 32-vjeçar, i cili vjen nga lugina piktoreske Hunza e rajonit verior Gilgit-Baltistan, që kufizohet me Kinën fqinje, filloi karrierën e tij profesionale të ngjitjes në vitin 2016.
Në vitin 2019, ai u bë pakistanezi i parë që arriti malin Lhotse në Nepal, i cili qëndron në 8.516 metra dhe është mali i katërt më i lartë në botë.
Nanga Parbat, Broad Peak, Manaslu, Anapurna dhe Gasherbrum II janë ndër ekspeditat e tij të tjera prej 8.000 metra.