Ekip
16 Dhjetor 2020•Përditësim: 17 Dhjetor 2020
Pakistani shprehu kundërshtim ndaj sanksioneve të fundit të njëanshme të SHBA-së kundër Turqisë, duke u bashkuar me një kor në rritje të kritikave mbi masën e diskutueshme të Washingtonit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Pakistani është thellësisht i shqetësuar për vendosjen e sanksioneve ndaj Turqisë nga Shtetet e Bashkuara”, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme, duke shtuar se Islamabadi mbetet kundër përdorimit të masave "të njëanshme shtrënguese" kundër çdo vendi në parim.
Duke bërë thirrje për dialog, ministria tha që ajo "pranon dhe vlerëson" rolin e paçmuar të Turqisë drejt paqes dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar.
"Populli dhe qeveria e Pakistanit përsërisin mbështetjen e tyre të fortë për qeverinë dhe popullin e Turqisë në kërkimin e tyre për sigurinë kombëtare, paqen dhe prosperitetin, dhe si gjithmonë, do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë tyre drejt arritjes së këtyre qëllimeve të përbashkëta”, përfundon deklarata.
SHBA-ja të hënën vendosi sanksione ndaj Turqisë për blerjen e saj të sistemit të mbrojtjes raketore ruse S-400.
Sanksionet, që vijnë nën Aktin e Luftimit të Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA), shënjestrojnë Presidencën e Industrive të Mbrojtjes së Turqisë (SSB), përfshirë kreun e saj, İsmail Demir, dhe tre zyrtarë të tjerë.
Në prill 2017, kur përpjekjet e saj të zgjatura për blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore nga SHBA-ja u treguan të pafrytshme, Turqia nënshkroi kontratë me Rusinë për të blerë sistemin mbrojtës S-400.
Duke kundërshtuar vendosjen e sistemit rus, zyrtarët amerikanë kanë pretenduar se ai nuk do të jetë në pajtueshmëri me sistemet e NATO-s dhe do të ekspozojë avionët e gjeneratës së ardhshme F-35 ndaj manipulimit të mundshëm rus.