Palestina merr statusin "shtet vëzhgues" në Organizatën Ndërkombëtare të Punës
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka pranuar vendimin për ndryshimin e statusit të Palestinës brenda organizatës nga "lëvizje nacionalçlirimtare" në "shtet vëzhgues"
Ramallah
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka pranuar vendimin për ndryshimin e statusit të Palestinës brenda organizatës nga "lëvizje nacionalçlirimtare" në "shtet vëzhgues", transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, Bordi Ekzekutiv i ILO-s u mblodh me pjesëmarrjen e presidentit të Konfederatës së Sindikatave Arabe, Shahir Saad si dhe përfaqësuesve të sindikatave arabe dhe ndërkombëtare.
Në takim u miratua vendimi për ndryshimin e statusit të Palestinës brenda organizatës nga "lëvizje nacionalçlirimtare" në "shtet vëzhgues". Saad tha se vendimi do të miratohet përfundimisht në Konferencën Ndërkombëtare të Punës në qershor 2025.
Sipas tij, vendimi i jep Palestinës të drejtën e pjesëmarrjes së plotë në të gjithë strukturën organizative të ILO-s dhe mundësinë e kalimit në "anëtarësimin me pjesëmarrje". Saad tha se Palestina do të marrë pjesë për herë të parë në konferencë në vitin 2025 me një delegacion zyrtar trepalësh i përbërë nga qeveria, punëtorët dhe punëdhënësit.
Sekretari i Përgjithshëm i Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), Luc Triangle deklaroi se "njohja nga Organizata Ndërkombëtare e Punës është një shenjë shprese dhe solidariteti me popullin palestinez, i cili përballet me sfida të mëdha në aspektin e të drejtave të njeriut dhe të punës".
Ai shtoi se njohja e shtetit palestinez është e nevojshme për paqen e qëndrueshme.
Sekretari i Përgjithshëm i Konfederatës së Sindikatave Arabe, Hind bin Ammar, deklaroi se konfederatat arabe dhe ato ndërkombëtare të sindikatave kanë arritur të bëjnë të dëgjohet zëri i Palestinës dhe se qëllimi i tyre është ta sjellin Palestinën në anëtarësim të plotë në Bordin e ILO-s.