Palestinezët falën namazin e xhumasë së parë të Ramazanit në xhaminë historike të Gazës
Xhamia dikur shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 1.100 metra katrorë ndërsa hapësira e shfrytëzueshme e xhamisë është zvogëluar në vetëm 300 metra katrorë për shkak të sulmeve izraelite

Ankara
Palestinezët falën namazin e xhumasë të parë të Ramazanit në xhaminë historike dhe më të madhe të Gazës, raporton Anadolu.
Qytetarët u mblodhën për faljen e xhumasë në Xhaminë e Madhe Omari që njihet gjithashtu si Xhamia e Madhe e Gazës, më e madhja dhe më e vjetra në Gaza, ku pjesa më e madhe e saj është shkatërruar nga sulmet izraelite.
Xhamia dikur shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 1.100 metra katrorë ndërsa hapësira e shfrytëzueshme e xhamisë është zvogëluar në vetëm 300 metra katrorë për shkak të dëmeve të shumta të shkaktuara nga sulmet izraelite.
Në sulmet izraelite, minarja e xhamisë 1.400-vjeçare u shkatërrua dhe pjesë të strukturës u dëmtuan rëndë.
Që kur Izraeli nisi sulmet e tij më 7 tetor 2023, shumë nga xhamitë, tempujt dhe kishat historike të Gazës janë kthyer në rrënoja.
Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare në Gaza ka njoftuar se 1.109 nga 1.244 xhamitë në Rripin e Gazës janë shkatërruar si rezultat i sulmeve izraelite.
Në një deklaratë nga një zyrtar i ministrisë në një konferencë për media të mbajtur para xhamisë së rrënuar Omari në Gaza, u tha se 89 për qind e xhamive në Gaza janë shkatërruar. Ai bëri të ditur se ushtria izraelite ka shkatërruar po ashtu tri kisha në Gaza.