Bota

Palestinezët ikin nga kampi i refugjatëve në Bregun Perëndimor mes sulmeve izraelite

Ushtria organizoi një bastisje ushtarake në kamp, duke i detyruar banorët të ikin mes sulmeve që sipas Ministrisë së Shëndetësisë vranë të paktën tre persona, përfshirë një grua shtatzënë

Betül Yılmaz  | 10.02.2025 - Përdıtësım : 11.02.2025
Palestinezët ikin nga kampi i refugjatëve në Bregun Perëndimor mes sulmeve izraelite Foto: Issam Rimawi/AA

Tulkarem

Banorët palestinezë kanë akuzuar ushtrinë izraelite për shkatërrimin e kampit të refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor të pushtuar në veri, mes një sulmi vdekjeprurës në zonë, raporton Anadolu.

Dje, ushtria organizoi një bastisje ushtarake në kamp, duke i detyruar banorët të ikin mes sulmeve që sipas Ministrisë së Shëndetësisë vranë të paktën tre persona, përfshirë një grua shtatzënë.

Zhurmat e shpërthimeve dhe armëve mund të dëgjohen në të gjithë zonën në mes të sulmeve izraelite.

"Situata është katastrofike në kamp", i tha banorja e kampit Ibtisam Abu Zahra për Anadolu, e cila së bashku me bashkëshortin e saj u detyruan të largohen nga lagja Manshiyya në kamp pas bastisjes izraelite.

“Ushtria izraelite sulmoi shtëpinë tonë dhe na zhvendosi në një shtëpi tjetër. Ata arrestuan gjithashtu disa banorë dhe na detyruan të largohemi”, tha ajo.

Ahmed al-Izza, një palestinez i moshuar, tha se forcat izraelite vendosën një ndalim të lëvizjes në kamp.

“Ushtarët izraelitë sulmuan shtëpitë tona dhe na detyruan të largoheshim. Shkatërrimi është kudo në kamp. Banorët që kanë mbetur presin radhën. Kampi është i rrethuar dhe forcat izraelite po bastisin të gjitha shtëpitë”, tha ai.

Assad Abu Zahra u detyrua të largohej nga lagja Manshiyya së bashku me nënën e tij.

“Rreth 40 ushtarë hynë në shtëpi dhe shkatërruan gjithçka. Sot, ne po jetojmë një Nakba të re, si ajo e jetuar nga njerëzit tanë në vitin 1948”, tha ai.

Nakba (Katastrofa) është një term i përdorur nga palestinezët për të përshkruar zhvendosjen e qindra mijëra palestinezëve nga bandat çifute në vitin 1948 për t'i krijuar hapësirë ​​krijimit të Izraelit.

Dje, zv/guvernatori i Jeninit, Mansour al-Saadi, tha se më shumë se 20 mijë palestinezë janë zhvendosur me forcë nga sulmi izraelit në qytet.

Bastisja izraelite në kampin Nur Shams ishte e fundit në një ofensivë më të gjerë që ka shënjestruar qytetet Jenin, Tulkarem dhe Tubas në Bregun Perëndimor verior, duke lënë të vdekur më shumë se 30 palestinezë që nga 21 janari.

Tensioni ka qenë i lartë në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 910 palestinezë janë vrarë dhe afro 7 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve të paligjshëm që nga fillimi i luftës në Gaza më 7 tetor të vitit 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.