Melike Pala
13 nëntor 2026•Përditësim: 13 nëntor 2026
Papa Leoni XIV u takua të enjten me gjashtë persona që kanë qenë viktima të abuzimit nga klerikë dhe institucione të Kishës Katolike në Peru ndërsa mijëra të rinj u mblodhën në stadiumin kombëtar të Limës për ta mirëpritur atë gjatë vizitës së tij në Amerikën Latine, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Zyra për media e Selisë së Shenjtë thuhet se takimi u zhvillua në Nunciaturën Apostolike në Lima dhe zgjati më shumë se një orë. Pas një përshëndetjeje të shkurtër në kapelën e Nunciaturës, Papa u takua veçmas me të mbijetuarit dhe dëgjoi rrëfimet e tyre për vuajtjet dhe dhimbjen që kishin përjetuar.
Gjatë takimit u diskutua nevoja për ndryshimin e qasjes brenda Kishës përmes dëgjimit të viktimave, kërkimit të së vërtetës, mbështetjes së proceseve të shërimit dhe krijimit të mjediseve të sigurta.
Më herët, mijëra të rinj u mblodhën në stadiumin kombëtar të Limës për të mirëpritur Papa Leonin, kthimi i të cilit në Peru u shoqërua me një pritje emocionuese. Stadiumi ishte mbushur me flamuj të disa vendeve të Amerikës Latine, përfshirë flamujt e Kilit, Bolivisë, Venezuelës, Brazilit dhe Ekuadorit.