Sertaç Bulur
09 Shkurt 2022•Përditësim: 10 Shkurt 2022
Katër terroristë janë kapur në qytetin veriperëndimor të Sirisë, Afrin, së bashku me jelekë vetëvrasës dhe eksplozivë C4, njoftoi policia turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë tha se forcat e inteligjencës të Task Forcës Siriane në Afrin, duke punuar në koordinim me policinë në provincën Hatay të Turqisë jugore, kapën terroristët e lidhur me YPG-në, dega siriane e grupit terrorist PKK.
Operacioni ka përfunduar me arrestimin e katër terroristëve, duke përfshirë një grua, dhe sekuestrimin e 13 kilogramëve eksploziv C4 dhe katër jelekëve vetëvrasës të kontrolluar me celular.
Përveç kësaj, është arrestuar një individ që regjistronte pamje vizuale të kampusit të Operacioneve Speciale në Afrin për qëllime zbulimi dhe inteligjence. Ai më vonë ka pranuar se fotot ishin shkrepur për t'ia dërguar grupit terrorist në këmbim të pagesës.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.