Fatma Esma Arslan
20 Shkurt 2017•Përditësim: 21 Shkurt 2017
PARIS (AA) - Në kryeqytetin e Francës, Paris, organizata për migrantët "Solidarite Migrants Wilson" ka reaguar ndaj vendosjes së shkëmbinjve nën urën ku refugjatët më parë shpeshherë vendosnin tenda, raporton Anadolu Agency (AA).
Shkëmbinjtë e vendosur nën urën La Chapelle në rajonin e 18-të të Parisit po i habisin kalimtarët.
Vendosja e shkëmbinjve nën urë për të penguar vendosjen e tendave nga refugjatë të cilët nuk pranohen në qendrën e azilkërkuesve që gjendet afër urës, është kritikuar nga organizatat që merren me kujdesin ndaj migrantëve.
Organizata "Solidarite Migrants Wilson", përmes një njoftimi në lidhje me shkëmbinjtë e vendosur nga Komuna e Parisit, ka reaguar duke thënë se kjo gjendje është e papranueshme, duke shtuar se edhe më parë janë kërcënuar teksa u kanë shpërndarë ushqime refugjatëve në të njëjtën zonë dhe se janë përpjekur të pengohen.
Organizata ka tërhequr vëmendjen se, edhe krahas pengesave, ka refugjatët të cilët përpiqen të flejnë mes shkëmbinjve për shkak se nuk kanë asnjë vend ku të shkojnë. Ata janë shprehur se do të vazhdojnë me shpërndarjen e ushqimeve si për ata që përpiqen të hyjnë në qendrën e azilkërkuesve, ashtu edhe për azilkërkuesit në zonë të cilët nuk kanë zgjidhje.
Ndryshe, pjesa nën urën La Chapelle njihet si vend ku refugjatët në Paris shpeshherë vendosnin tenda. Refugjatët veçanërisht nga vera e vitit 2015 janë përpjekur të qëndrojnë në tendat që i vendosnin nën urë. Kohëve të fundit, policia nuk u mjaftua vetëm me largimin e tendave të refugjatëve, por konfiskonte edhe batanijet dhe thasët e gjumit.
Ndërkaq, qendra e azilkërkuesve në La Chapelle me kapacitet për 400 persona, kritikohet për mospërmbushje të nevojave. Në hyrje të qendrës çdo mëngjes formohen radhë të gjata, kurse në kuadër të limitit ditor, në qendër lejohet hyrja e një numri të kufizuar të refugjatëve.