Bota

Parlamenti izraelit miraton 3 projektligje për mbylljen e agjencisë UNRWA, e cilëson atë “organizatë terroriste”

Të tre projektligjet tani do të shkojnë në Komitetin e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes në Knesset për shqyrtim të metejshëm. Ata do të kërkojnë dy lexime të tjera për t’u bërë efektive

Ahmed Asmar  | 22.07.2024 - Përdıtësım : 22.07.2024
Parlamenti izraelit miraton 3 projektligje për mbylljen e agjencisë UNRWA, e cilëson atë “organizatë terroriste” Foto: AA/Arkiv

Ankara

Parlamenti izraelit (Knesset) ka miratuar tre projektligje në lexim të parë për të mbyllur agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) dhe për ta cilësuar atë një “organizatë terroriste”, transmeton Anadolu.

Siç raportoi gazeta ‘The Times of Israel’, projektligji i parë e ndalon UNRWA-në të operojë ndonjë mision, të ofrojë ndonjë shërbim ose të kryejë ndonjë aktivitet në territorin izraelit. Projektligji u miratua me 58 vota kundrejt 9.

Projektligji i dytë u miratua me 63 vota kundrejt 9 dhe ai kërkon heqjen e imunitetit të personelit të UNRËA-së dhe heqjen e privilegjeve ligjore që i ofrohen stafit të OKB-së në Izrael.

Projektligji i tretë kërkon përcaktimin e agjencisë së OKB-së si një “organizatë terroriste”, si dhe kërkon që Izraeli të ndërpresë lidhjet me të. Projektligji në fjalë u miratua me 50 vota kundrejt 10.

Të tre projektligjet tani do të shkojnë në Komitetin e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes në Knesset për shqyrtim të mëtejshëm. Ata do të kërkojnë dy lexime të tjera për t’u bërë efektive.

Muajin e kaluar, Knesset miratoi një mocion paraprak për të miratuar një projektligj që përcaktonte UNRWA-në si një “organizatë terroriste”.

Izraeli ka lobuar shumë që UNRWA të mbyllet pasi është e vetmja agjenci e OKB-së që ka një mandat specifik për t’u kujdesur për nevojat themelore të refugjatëve palestinezë.

UNRWA-ja u formua me një rezolutë të OKB-së në vitin 1949 dhe është e mandatuar për të ofruar ndihmë dhe mbrojtje për refugjatët në pesë zonat e saj të veprimit, respektivisht në Jordani, Siri, Liban, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın