Parlamenti: Sllovenia do të respektojë vendimin e gjykatës së Hagës për udhër-arrestet ndaj zyrtarëve izraelitë
Komiteti i Politikës së Jashtme i parlamentit slloven gjithashtu përshëndeti marrëveshjen për armëpushim dhe për lirimin e të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit
Ljubljanë
Komisioni i Politikës së Jashtme i Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë ka përshëndetur vendimin e qeverisë sllovene për të respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) për urdhër-arrestet ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe të liderit të krahut të armatosur të Hamasit, Mohammed Deif, raporton Anadolu.
Komiteti i Politikës së Jashtme i parlamentit slloven gjithashtu përshëndeti marrëveshjen për armëpushim dhe për lirimin e të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.
Komiteti parlamentar po ashtu i propozoi Ministrisë së Punëve të Jashtme që të shqyrtojë dhe forcojë mundësitë e presionit diplomatik mbi Izraelin brenda fuqive sovrane të Sllovenisë dhe Bashkimit Evropian (BE), me qëllim përfundimin e përhershëm të konflikteve ushtarake dhe ofrimin e ndihmës humanitare për popullsinë e Gazës.
Ata gjithashtu sugjeruan që Ministria e Punëve të Jashtme dhe qeveria të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).
Në të njëjtën seancë, Komiteti i Politikës së Jashtme i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Ekonomisë që të shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kontrolleve mbi aktivitetet ekonomike dhe ndalimin e tregtisë së Sllovenisë me vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Komiteti parlamentar në seancën e sotme gjithashtu tha se Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë duhet të avokojë për një qasje të unifikuar të BE-së ndaj ndryshimeve të mundshme në trajtimin e kërkesave për azil nga sirianët pas rënies së regjimit të Bashar Asadit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.