Partia e ekstremit të djathtë e ministrit Ben-Gvir tërhiqet nga qeveria izraelite me fillimin e armëpushimit në Gaza
Ben-Gvir dhe ministra të tjerë nga partia e tij i dorëzuan letrat e tyre të dorëheqjes kryeministrit izraelit, por koalicioni qeverisës akoma mbijeton me 62 vende parlamentare në Knesset-in prej 120 vendesh
Kuds
Partia e ekstremit të djathtë Otzma Yehudit (Forca Hebraike) e ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka dhënë dorëheqje nga qeveria izraelite pasi marrëveshja e armëpushimit në Gaza hyri në fuqi, transmeton Anadolu.
Siç raporton Haaretz, Ben-Gvir dhe ministra të tjerë nga partia e tij i dorëzuan letrat e tyre të dorëheqjes kryeministrit Benjamin Netanyahu.
“Që nga kjo kohë e tutje, Partia Otzma Yehudit nuk është anëtare e koalicionit”, njoftoi partia.
Ben-Gvir ia atribuoi dorëheqjet vendimit të qeverisë për të miratuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe lirimin e qindra palestinezëve nga burgjet izraelite.
Pas tërheqjes së Partisë Otzma Yehudit, koalicioni qeverisës akoma mbijeton me 62 vende parlamentare në Knesset-in prej 120 vendesh.
Dje, 24 ministra në qeveri miratuan marrëveshjen e Gazës për armëpushim dhe shkëmbim të burgosurish, ndërsa tetë e refuzuan atë.
Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi sot në orën 11:15 me orën lokale (09:15 GMT) pas disa orësh vonesë për shkak të akuzave izraelite ndaj Hamasit për vonimin e lëshimit të listës së pengjeve që do të lirohen. Fillimisht ishte planifikuar që armëpushimi të fillojë në orën 8:30 të mëngjesit me orën lokale.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, të paktën 47 mijë palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 110.700 të tjerë janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.