Hasan Esen
13 dhjetor 2019•Përditësim: 13 dhjetor 2019
Sipas rezultateve të para të deklaruara në 600 zonat elektorale nga gjithsej 650, Partia Konservatore e Britanisë ka fituar zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar pasi ka siguruar më shumë se 326 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, raporton Anadolu Agency (AA).
Rezultatet tregojnë se konservatorët e udhëhequr nga Boris Johnson tani kanë një shumicë legjislative në parlament.
Partia "Tory" parashikohet të fitojë një shumicë nga 76 deri në 88 vende, me këto duke kaluar kufirin mbi 326 vende për shumicën parlamentare.
Në adresimin pasi siguroi vendin e tij në zonat elektorale në Uxbridge dhe Ruislip-in e Jugut, Johnson falënderoi të gjithë votuesit.
“Kësaj qeverie konservatore të një kombi i është dhënë mandat i fuqishëm i ri për ta përfunduar Brexit-in dhe jo vetëm Brexit-in, por edhe për të bashkuar këtë vend dhe për ta çuar përpara”, tha Johnson.
- Partia Laburiste
Në krahasim me konservatorët, Partia Laburiste parashikohet të marrë rezultatet e saj më të këqija në dekadat e fundit. Deri më tani kjo parti ka fituar 195 vende, duke humbur mbi 70 vende që ajo i fitoi në vitin 2017.
Duke folur në adresimin pasi fitoi vendin e tij në zonën Islington-i i Veriut, kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn, tha se ai do të vazhdojë të udhëheqë partinë gjatë, siç theksoi ai, “procesit të reflektimit”, duke lënë të kuptohet dorëheqjen e tij.
“Po ashtu dua të sqaroj se nuk do ta udhëheqë partinë në asnjë fushatë të ardhshme zgjedhore. Do të diskutojë me palën tonë për të siguruar tani një proces reflektimi mbi këtë rezultat dhe për politikat që partia do t’i marrë përpara”, tha Corbyn.
Ai tha se do të udhëheqë partinë “gjatë asaj periudhe për të siguruar që diskutimi të zhvillohet”.
- Partia Kombëtare Skoceze
Sipas sondazheve zgjedhore, Partia Kombëtare Skoceze (SNP) do të fitojë 55 vende, por ajo tashmë ka siguruar 45 vende bazuar në rezultatet e para. Ky rezultat do të konsiderohet si një sukses, duke i harruar kujtimet e këqija të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2017.
Partia ka një axhendë për të zhvilluar një referendum të dytë për pavarësi në vitin 2020, nëse Skocia tërhiqet nga Bashkimi Evropian (BE) kundër vullnetit të saj. Në referendumin e vitit 2016, shumica e votuesve në Skoci zgjodhën për të qëndruar në BE.
Udhëheqësja e SNP-së, Nicola Sturgeon, tha se ky rezultat u ka dhënë atyre një mandat më të fortë për një referendum të dytë të pavarësisë.
- Liberal Demokratët
Kreu i Partisë Liberal Demokrate, Jo Swinson, është e vetmja udhëheqëse deri më tani që ka humbur vendin në parlament. Ajo humbi ngushtë ndaj kandidatit të SNP-së në zonën elektorale Dunbartonshir-i Lindor.
Swinson tha se lufta e vendit si udhëheqëse e partisë ishte “sfidë e veçantë”, duke bërë të ditur se ajo ishte deputete e Dunbartonshir-it Lindor për 12 vite e gjysmë.
Partia e saj nuk arriti suksesin e synuar me premtimin e tyre për të anuluar Brexit-in nëse do të hynin në pushtet pasi parashikohej të fitojë rreth 10 vende.
- Partia Brexit
Partia Brexit e Nigel Farage-s deri më tani nuk ka arritur të fitojë asnjë vend të vetëm në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në këto zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, 21 vende në Dhomën e Përfaqësuesve janë fituar nga kandidatë të pavarur.