Bota

Pavarësisht armëpushimit, Izraeli nis sulme ajrore në Libanin jugor

Në përgjigje të shkeljeve të armëpushimit nga Izraeli, Hezbollahu shënjestroi sot lokacionin ushtarak izraelit Rweisat al-Alam në kodrat Kfar Shuba

Mohammad Sıo  | 02.12.2024 - Përdıtësım : 03.12.2024
Pavarësisht armëpushimit, Izraeli nis sulme ajrore në Libanin jugor

Bejrut

Avionët luftarakë izraelitë kanë nisur sonte një seri sulmesh ajrore në qytete në Libanin jugor, duke vazhduar operacionet e tyre ajrore pavarësisht armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut, transmeton Anadolu.

Ndërkaq, agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit raportoi se avionët izraelitë shënjestruan qytetet Yaroun, Maroun al-Ras dhe Hanine në rajonin Bint Jbeil, si dhe qytetin Sriri në rrethin Jezzine. Gjithashtu, dronë zbulues izraelitë kanë fluturuar mbi qytetin e Tirit dhe rrethinat e tij.

Agjencia shtoi se ushtarët izraelitë të vendosur në Maroun al-Ras kanë hapur zjarr të rëndë në qytetin e afërt Bint Jbeil dhe qytetet Aainata dhe Aitaroun.

Ofensiva është njoftuar edhe nga ushtria izraelite, e cila në një deklaratë tha se “aktualisht po goditen objektiva në Liban”.

Në një deklaratë tjetër më vonë, ushtria izraelite tha se kanë detektuar raketa të lëshuara drejt Izraelit verior, duke shkaktuar aktivizimin e sirenave në vendbanimin Lehavot HaBashan.

Të mërkurën e kaluar, një marrëveshje armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit hyri në fuqi, duke synuar t’i jepte fund luftimeve 14-muajshe midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut.

Megjithatë, Izraeli e ka shkelur armëpushimin disa herë, duke kryer sulme në territorin libanez, duke rezultuar në viktima.

Si përgjigje, Hezbollahu shënjestroi sot lokacionin ushtarak izraelit Rweisat al-Alam në kodrat Kfar Shuba, duke e quajtur atë një “paralajmërim paraprak mbrojtës” kundër shkeljeve të vazhdueshme të Izraelit ndaj marrëveshjes së armëpushimit.

Situata ka bërë që ministra izraelitë, përfshirë ministrin e financave Bezalel Smotrich, të kërkojnë një përgjigje “të fortë” ndaj Hezbollahut, duke sinjalizuar se “epoka e përmbajtjes ka përfunduar”.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të Linjës Blu, kufirit de fakto, në një mënyrë me faza, ndërsa ushtria libaneze vendos forcat e saj në Libanin jugor brenda një maksimumi prej 60 ditësh.

Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.

Gati 4.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 16.500 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın