Pavarësisht kufizimeve izraelite, 90.000 besimtarë falën xhumanë e parë të Ramazanit në Al-Aksa
Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se ushtria izraelite pengoi dhjetëra mijëra palestinezë të kalonin pikat e kontrollit ushtarak që rrethojnë Kudsin për të arritur në Al-Aksa

Kuds
Pavarësisht kufizimeve të rrepta izraelite, rreth 90.000 besimtarë palestinezë u mblodhën për namazin e parë të xhumasë të Ramazanit në xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu.
"Rreth 90.000 besimtarë morën pjesë në namazin e xhumasë në Xhaminë Al-Aksa", tha për Anadolu Sheikh Azzam al-Khatib, drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve Islame të Kudsit.
Forcat e policisë izraelite u vendosën në masë të madhe rreth xhamisë dhe në gjithë qytetin e vjetër të Kudsit për të kufizuar hyrjen e besimtarëve.
Të enjten, policia izraelite njoftoi se 3.000 efektivë do të vendosen në Kudsin Lindor të premten.
Autoritetet izraelite vendosën gjithashtu kufizime të rënda për besimtarët nga Bregu Perëndimor i pushtuar që përpiqeshin të arrinin në Kuds.
Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se ushtria izraelite pengoi dhjetëra mijëra palestinezë të kalonin pikat e kontrollit ushtarak që rrethojnë Kudsin për të arritur në Al-Aksa.
Të enjten, zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se vetëm burrat mbi 55-vjeç, gratë mbi 50-vjeç dhe fëmijët nën 12-vjeç do të lejohen të hyjnë në xhami. Adhuruesve iu kërkua gjithashtu të merrnin leje paraprake të sigurisë dhe t’u nënshtroheshin kontrolleve të gjera në vendkalimet e caktuara.
Pavarësisht këtyre masave, palestinezët nga Kudsi dhe qytetet arabe brenda Izraelit morën rrugën për në xhami. Grupet vullnetare, duke përfshirë rojet e Al-Aksasë dhe ekipet e sigurisë, ndihmuan adhuruesit.
Gjatë predikimit, Muhamed Salim Muhamed Ali, predikuesi i xhumasë në Xhaminë Al-Aksa, lavdëroi besimtarët për vendosmërinë e tyre për të arritur në xhami pavarësisht kufizimeve izraelite dhe kërkoi përpjekje të mëtejshme për të mbrojtur dhe frekuentuar vendin e shenjtë.
Në fund të namazit, besimtarët falën namaz xhenazeje në mungesë për shpirtrat e palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.
Që nga shpërthimi i luftës në Gaza më 7 tetor 2023, autoritetet izraelite kanë vendosur masa të rrepta që kufizojnë aksesin e palestinezëve nga Bregu Perëndimor në Kudsin Lindor.
Palestinezët i konsiderojnë këto kufizime si pjesë e përpjekjeve më të gjera të Izraelit për të judaizuar Kudsin Lindor, përfshirë xhaminë Al-Aksa dhe për të fshirë identitetin e tij arab dhe islam.