Fatma Zehra Solmaz
04 nëntor 2026•Përditësim: 04 nëntor 2026
Zëvendësguvernatorja e Minesotës, Peggy Flanagan hyri në histori të martën duke u bërë gruaja e parë indigjene e zgjedhur në Senatin e SHBA-së, duke shënuar një tjetër arritje në karrierën e saj politike, gjatë së cilës ka thyer vazhdimisht barriera, raporton Anadolu.
Flanagan, 47-vjeçe, mposhti kandidaten republikane Michele Tafoya, ish-reportere në terren për ndeshjet e NFL-së, duke bërë që vendi i Minesotës në Senat të mbetet në duart e demokratëve. Ajo do të pasojë senatoren demokrate Tina Smith, e cila po tërhiqet nga detyra.
Zgjedhja e saj shënon moment të rëndësishëm për përfaqësimin e amerikanëve indigjenë në Kongres, pasi më parë vetëm katër burra indigjenë kishin shërbyer në Senat.
Senati nuk kishte asnjë anëtar indigjen që nga largimi, në fillim të këtij viti, i ish-senatorit të Oklahomës, Markwayne Mullin, i cili mori detyrën e sekretarit të Sigurisë Kombëtare në administratën e Trumpit.
- Fitore për krahun progresist të demokratëve
Zgjedhja e Flanaganit forcon gjithashtu krahun progresist të Partisë Demokratike.
Programi i saj elektoral përfshinte sigurimin shëndetësor Medicare për të gjithë, kujdesin universal për fëmijët, lejen e paguar për arsye familjare dhe mjekësore në mbarë vendin, rritjen e pagës minimale federale në 17 dollarë në orë dhe shpërbërjen e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Ajo u mbështet nga figura të njohura progresiste, përfshirë senatorin Bernie Sanders. Republikanët e vunë në shënjestër Flanaganin edhe për një skandal mashtrimi që përfshinte programe të administruara nga shteti.
Flanagan hodhi poshtë përgjegjësinë për skandalin, duke argumentuar se Walz, si guvernator, ishte përfundimisht përgjegjës për administratën.
- Përvojë e gjatë në çështjet e popujve indigjenë
Flanagan është anëtare e regjistruar e fisit White Earth të Ojibwe-ve dhe kishte hyrë në histori edhe përpara kandidimit të saj për Senat. Në vitin 2019, kur mori detyrën e zëvendësguvernatores, ajo u bë gruaja e parë indigjene dhe gruaja e parë me ngjyrë e zgjedhur në një post shtetëror në Minesota.
Në këtë rol, ajo bashkëpunoi ngushtë me qeveritë fisnore dhe ndihmoi në riformësimin e marrëdhënieve mes Minesotës dhe 11 kombeve fisnore të shtetit.
- Nga politika lokale në Senat
Flanagan diplomoi në Universitetin e Minesotës për psikologji të fëmijëve, me një specializim dytësor në studimet për indianët amerikanë. Para se të hynte në politikë, ajo punoi në organizatën "Division of Indian Work" dhe në "Wellstone Action", një organizatë jofitimprurëse që trajnon kandidatë politikë dhe organizatorë.
Ajo ishte anëtare e Bordit të Arsimit të Minneapolisit nga viti 2005 deri në vitin 2009 dhe shërbeu në Dhomën e Përfaqësuesve të Minesotës nga viti 2015 deri në vitin 2018. Walz e zgjodhi atë si kandidate për zëvendësguvernatore në vitin 2018 ndërsa Flanagan mori zyrtarisht detyrën në janar të vitit 2019.