Pekini: Tregtia Kinë-SHBA është “përfituese reciproke”
Mao tha se tregtia aktuale SHBA-Kinë është rezultat i forcave të tregut, me faktorë të shumtë në lojë, duke përfshirë strukturat ekonomike dhe politikat tregtare të dy vendeve, si dhe pozicioni i dollarit amerikan

Istanbul
Kina ka bërë të ditur se tregtia midis Washingtonit dhe Pekinit është “përfituese reciproke”, duke theksuar se ajo “kurrë nuk ndjek qëllimisht një suficit tregtar”, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kinës, Mao Ning, në një konferencë për media në Pekin tha se tregtia aktuale SHBA-Kinë është rezultat i forcave të tregut, me faktorë të shumtë në lojë, duke përfshirë strukturat ekonomike dhe politikat tregtare të dy vendeve, si dhe pozicioni i dollarit amerikan.
“Kina kurrë nuk ndjek qëllimisht një suficit tregtar. SHBA-ja, në fakt, ka bërë fitime të mëdha nga tregtia kinezo-amerikane”, tha ajo.
Sipas saj, nëse shihet ndarja e statistikave, eksportet e kompanive amerikane me bazë në Kinë gjithashtu llogariten si suficit tregtar i Kinës.
“Produktet me cilësi të lartë me kosto të reduktuar të eksportuara nga Kina në SHBA kanë rritur në thelb fuqinë blerëse të konsumatorëve amerikanë dhe kanë krijuar një sasi të madhe vendesh pune në SHBA, veçanërisht në sektorë të tillë si transporti, tregtia me shumicë, pakicë dhe tregtia elektronike. Meqë ra fjala, SHBA-ja vazhdon të ketë një suficit të madh në tregtinë e shërbimeve”, tha Mao.
Ajo gjithashtu tha se nga lidhjet tregtare dhe ekonomike midis Kinës dhe SHBA-së përfitojnë të dyja palët.
“Nëse njëri do të kishte shqyer tjetrin, nuk ka asnjë mënyrë që lidhjet të kishin arritur deri këtu sa shohim sot", tha Mao.
Sipas saj, për t'i quajtur lidhjet ekonomike “të shqyera" dhe për të ndjekur reciprocitetin absolut në tregti do të binte ndesh me sensin e përbashkët ekonomik më themelor.
"Pavarësisht se cili është arsyetimi i supozuar, ai nuk mund të fshehë qëllimin e SHBA-së për të politizuar dhe armatosur çështjet tregtare për të kontrolluar dhe për të ndjekur Kinën", shtoi ajo.
Kina ka vendosur tarifa hakmarrëse për mallrat amerikane, duke përfshirë eksportet bujqësore, në përgjigje të presidentit amerikan, Donald Trump, që vendosi një tarifë shtesë prej 10 për qind për të gjitha produktet kineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.