Pentagoni: SHBA në muajt e ardhshëm do të ulë forcat në Siri në më pak se 1 mijë
Pentagoni ka njoftuar se po konsolidon forcat amerikane në Siri, që janë të vendosura nën Task Forcën e Përbashkët të Kombinuar (Operacioni Inherent Resolve)

Washington
Pentagoni ka njoftuar se po konsolidon forcat amerikane në Siri, që janë të vendosura nën Task Forcën e Përbashkët të Kombinuar (Operacioni Inherent Resolve), duke reduktuar numrin e trupave në më pak se 1 mijë në muajt e ardhshëm, transmeton Anadolu.
"Duke njohur suksesin që SHBA-ja ka pasur kundër DEASH-it, përfshirë humbjen e saj territoriale në vitin 2019 nën presidentin Trump, sot Sekretari i Mbrojtjes udhëzoi konsolidimin e forcave amerikane në Siri nën Task Forcën e Përbashkët të Kombinuar për të zgjedhur lokacionet në Siri, tha zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell.
Parnell tha se konsolidimi pasqyron hapat e “rëndësishme” që SHBA-ja ka bërë drejt degradimit të aftësive operacionale të grupit terrorist DEASH në nivel rajonal dhe global.
“Ky proces i qëllimshëm dhe i bazuar në kushte do të reduktojë gjurmët e SHBA-së në Siri në më pak se 1 mijë forca amerikane në muajt e ardhshëm”, shtoi ai.
Duke theksuar se në 10 vitet e fundit, Koalicioni Global për të mposhtur DEASH-in ka bërë “fitime të mëdha”, Parnell tha se Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) nisi dhjetëra sulme ajrore vitet e fundit për të degraduar më tej aftësitë e DEASH-it.
“CENTCOM do të mbetet e gatshme për të vazhduar sulmet kundër mbetjeve të DEASH-it në Siri”, tha ai, duke shtuar se SHBA-ja do të punojë me partnerët e koalicionit për të mbajtur presionin mbi grupin terrorist.
Pentagoni, theksoi ai, vazhdon të ruajë një "masë të konsiderueshme aftësish në rajon dhe aftësinë për të bërë rregullime dinamike të pozicionit të forcës bazuar në situatat e sigurisë në zhvillim në terren".
Në fund të muajit janar, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja “do të vendosë” për trupat në Siri pas një raporti që pretendoi se ai synon të tërheq forcat amerikane.
“Nuk e di kush e tha këtë, por ne do të vendosim për këtë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne nuk jemi të përfshirë në Siri. Siria është në rrëmujën e saj. Ata kanë mjaft rrëmujë atje. Ata nuk kanë nevojë që ne të përfshihemi”, tha Trump.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.