Peter Sorensen konfirmohet emisar i ri i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi
Emisarit aktual, Miroslav Lajçak, i skadon mandati më 31 janar
Prishtinë
Politikani nga Danimarka, Peter Sorensen, ka marrë votat nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), për t’u bërë përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Anadolu.
Sorensen u zgjodh nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Miroslav Lajçakun në këtë post.
Pasi Sorensen ka marrë pëlqimin nga ambasadorët e BE-së më 24 janar dhe nga kryediplomatët ditën e sotme, ai do të nisë mandatin e tij si emisar nga 1 shkurti 2025.
Emisarit aktual, Miroslav Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.
Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, para takimit të kryediplomatëve në Bruksel, tha se me zgjedhjen e tij si emisar, po dërgohet mesazhi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.
Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.
Procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja ka nisur nga viti 2011.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.