Bota

Pjesë të Spanjës në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të ndërprerjes masive të energjisë

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme po bëhet me kërkesë të qeverive rajonale, duke i lejuar qeverisë qendrore të koordinojë reagimin, përfshirë mobilizimin e ushtrisë

Alyssa Mcmurtry  | 29.04.2025 - Përdıtësım : 29.04.2025
Pjesë të Spanjës në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të ndërprerjes masive të energjisë Foto: Diego Radames/AA

Oviedo

Mes një ndërprerje masive të energjisë elektrike, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka njoftuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në rajonet e Madridit, Andaluzisë dhe Ekstremadurës, transmeton Anadolu.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme po bëhet me kërkesë të qeverive rajonale, duke i lejuar qeverisë qendrore të koordinojë reagimin, përfshirë mobilizimin e ushtrisë.

Sanchez tha se Spanja do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në çdo rajon tjetër që e kërkon atë, diçka që Murcia në juglindje të vendit e kërkoi më vonë.

“Ne nuk i dimë shkaqet. Ne nuk po përjashtojmë asnjë hipotezë”, tha Sanchez në një fjalim drejtuar kombit, duke iu referuar arsyes së ndërprerjes së energjisë elektrike.

Energjia elektrike u ndërpre në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë rreth mesditës dhe po rikthehet në mënyrë graduale. Shumë zonë në Spanjë kanë kaluar pothuajse nëntë orë pa energji elektrike.

Derisa kryeministri Sanchez tha se situata e sigurisë mbetet pozitive, pjesa më e madhe e sistemit të transportit të Spanjës u ndal. Metrotë dhe trenat ndaluan shërbimin, ndërsa qytetet kryesore përjetuan bllokim të trafikut pasi semaforët nuk punonin.

Mijëra njerëz duhej të shpëtohen nga ashensorët, me rreth 150 incidente të tilla të raportuara vetëm në Madrid.

Deri më tani, mediat spanjolle kanë raportuar aksidente trafiku, por jo plaçkitje të mëdha apo goditje në infrastrukturën kritike si spitalet, të cilat po merren vetëm me raste urgjente.

Sanchez u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të kursejnë bateritë e telefonave dhe të shmangin spekulimet ose përhapjen e dezinformatave rreth shkaqeve të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Stacionet e trenit do të mbeten të hapura gjatë natës për t’u mundësuar pasagjerëve të bllokuar të qëndrojnë.

Sipas të përditshmes spanjolle El Pais, kjo është ndërprerja më e keqe e energjisë elektrike në historinë e Spanjës.

Ndërprerja e energjisë elektrike në Spanjë shkaktoi ndërprerje të përhapura edhe në Portugali, autoritetet e së cilës thanë se problemi e kishte origjinën nga një problem në sistemin spanjoll.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.