Pjesëmarrja e madhe në COP 29 në Azerbajxhan tërheq vëmendjen
72 mijë njerëz nga 169 vende marrin pjesë në COP29, një nga organizimet më të rëndësishme në mbarë botën, ku diskutohen çështjet e ndryshimeve klimatike
Baku
RUSLAN REHİMOV
Konferenca e 29-të e Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29) që po vazhdon në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, tërheq vëmendjen me pjesëmarrje të madhe, raporton Anadolu.
72 mijë njerëz nga 169 vende marrin pjesë në COP29, një nga organizimet më të rëndësishme në mbarë botën, ku diskutohen çështjet e ndryshimeve klimatike. Konferenca mbahet në zona të përkohshme të vendosura brenda dhe përreth stadiumit olimpik në Baku. Pjesëmarrësit transportohen në zonën e konferencës me autobusë të veçantë të siguruar nga Azerbajxhani.
Takimet dhe negociatat e COP29 zhvillohen në 'Zonën Blu', e cila është nën autoritetin e OKB-së dhe përbëhet nga struktura të parafabrikuara dhe tenda me një sipërfaqe totale prej 110 mijë metrash katrorë në një zonë prej 49 hektarësh.
Ndërkaq, në Zonën e Gjelbër, që është nën autoritetin e Azerbajxhanit, në një zonë prej 8 hektarësh, projekte mjedisore të organizatave publike dhe joqeveritare ekspozohen në ndërtesa me një sipërfaqe totale prej 36 mijë metrash katrorë.
Pjesëmarrësit, të cilët transportohen në stadium me autobusë nga zona të caktuara në qendër të qytetit, priten me muzikë tradicionale të Azerbajxhanit. Pjesëmarrësit lejohen të hyjnë në zonë pas kontrollit të rreptë, ku siguria ofrohet nga ekipet e Azerbajxhanit dhe të OKB-së.
Pjesëmarrësit drejtohen në zonat përkatëse nga stafi dhe mund të arrijnë në dhomat e takimeve që dëshirojnë duke ndjekur si tabelat ashtu edhe monitorët. 3 mijë vullnetarë nga Azerbajxhani po ndihmojnë pjesëmarrësit për të siguruar që organizimi të mund të përfundojë me sa më pak vështirësi.
- Promovohet kultura e Azerbajxhanit
Në korridoret e zonës ekspozohen objekte të vjetra nga historia e vendit që gjenden në inventarin e Muzeut Historik të Azerbajxhanit.
Sallat ku u organizohen aktivitetet u emëruan me emra specifikë për historinë, letërsinë dhe kulturën e Azerbajxhanit, si Karabak, Natavan, Mugham, Nizami, Nasimi, Shirvan dhe Buta.
- Konferencën e ndjekin mbi 3 mijë gazetarë
Më shumë se 3 mijë gazetarë nga vende të ndryshme po ndjekin konferencën. Gazetarët e bëjnë punën e tyre në tre zona të mëdha të rezervuara për mediat. Disa kanale televizive gjithashtu përgatisin programe dhe transmetojnë programe të drejtpërdrejta në studiot e tyre të ngritura në zonë.
Vëmendje të madhe tërheqin gjithashtu pavijonet e shteteve të krijuar në kuadër të COP29. Pavijonet, ku shpjegohen zgjidhjet e vendeve për të luftuar ndryshimet klimatike, tërheqin vëmendjen e vizitorëve.
Aktivistët e klimës hapin pankarta në pavijonet, duke tërhequr vëmendjen për problemet dhe duke bërë thirrje për ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Palestinës.