Bota

Platformat e mediave sociale përballen me akuza për censurim të përmbajtjes mbi Gazën

Palestinezët kanë përdorur përmbajtje digjitale për të sjellë ngjarjet në një audiencë më të gjerë në botën arabe, islame dhe perëndimore, megjithatë ekspertët besojnë se algoritmet e platformave po kufizojnë përhapjen e përmbajtjes palestineze

Khalid Mejdoup, Ekrem Biçeroğlu  | 04.10.2024 - Përdıtësım : 05.10.2024
Platformat e mediave sociale përballen me akuza për censurim të përmbajtjes mbi Gazën Foto: AA/Arkiv

Rabat

Mediat sociale dhe platformat digjitale kanë luajtur një rol vendimtar në publikimin e ngjarjeve të luftës në Gaza, por sipas ekspertëve ato përballen me akuza për paragjykim algoritmik dhe censurë të përmbajtjes, raporton Anadolu.

Gjatë vitit të kaluar, palestinezët kanë përdorur përmbajtje digjitale për të sjellë ngjarjet në Gaza në një audiencë më të gjerë në të gjithë botën arabe, islame dhe perëndimore, duke nxitur demonstrata në mbështetje anembanë botës.

Megjithatë, ekspertët besojnë se algoritmet e platformave të mediave sociale po kufizojnë përhapjen e përmbajtjes palestineze.

Duke folur për Anadolu, Abdoulhakim Ahmine, një ekspert maroken i medias dhe komunikimit, tha se angazhimi intensiv digjital i palestinezëve të rinj ka bërë që Izraeli të vë në shënjestër figura të shquara të mediave sociale, pronarë kanalesh në Youtube dhe gazetarë që transmetojnë drejtpërdrejtë nga Gaza.

“Disa vende, veçanërisht Franca dhe Gjermania, fillimisht vendosën një lloj kufizimesh digjitale, por u detyruan të tërhiqen për shkak të mbështetjes popullore në rritje për Palestinën”, tha Ahmine.

Ai theksoi se “presion komunikues” ndaj të rinjve që shprehen në këto platforma.

Ndërkaq, Hassan Kharjouj, një studiues i teknologjisë, tha se përdoruesit e platformave sociale kanë zhvilluar teknika për ta anashkaluar heqjen e përmbajtjes.

“Algoritmet e platformave digjitale censurojnë shumë përmbajtje palestineze dhe kufizojnë shpërndarjen e saj”, tha Kharjouj.

Nga ana tjetër, Sada Social, një qendër kërkimore me bazë në Palestinë, në një raport dokumentoi mbi 5.450 shkelje ndaj përmbajtjeve digjitale të lidhura me Palestinën në katër muajt e parë të vitit 2024.

Kjo qendër kërkimore zbuloi se Instagram përbënte 32 për qind të shifrës së përgjithshme të shkeljeve, Facebook 26 për qind, WhatsApp 16 për qind, TikTok 14 për qind dhe X 12 pë qind.

Pavarësisht këtyre sfidave, mediat sociale mbeten një mjet kyç për shpërndarjen e informacionit rreth akteve gjenocidale të Izraelit në rajon.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.