Yusuf Kaya
01 Tetor 2017•Përditësim: 01 Tetor 2017
GIRONA (AA) - Policia dhe xhandarmëria spanjolle kanë ndërhyrë kundër mbajtjes së referendumit për pavarësi, të cilin qeveria rajonale e Katalonjës kërkon ta zhvillojë pavarësisht se ai është shpallur i jashtëligjshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Bëhet e ditur se policia dhe xhandarmëria spanjolle ka kryer bastisje në qendrat e përgatitura për zhvillimin e votimit në qeverinë autonome të Katalonjës dhe pasi ka thyer rezistencën e mbështetësve pro referendumit ka konfiskuar fletët dhe kutitë e votimit.
Ministria e Brendshme e Spanjës ka njoftuar se nuk kanë lejuar referendumin e jashtëligjshëm për pavarësi të planifikuar për sot në rajonin e Katalonjës dhe se kanë nisur konfiskimin e të gjitha fletëve dhe kutive të votimit.
Gjithashtu mësohet se njëra nga qendrat që është bastisur ka qenë edhe ajo tek pallati i sportit të bashkisë në qytetin Girona, ku do të votonte edhe kryetari i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont.
Afërsisht 80 forca të xhandarmërisë pasi kanë mbërritur kanë shpërndarë mbështetësit e pavarësisë që kishin formuar barrikadë para derës, dhe kanë marrë nën kontroll sallën.
Ndërsa ka patur përleshje mes xhandarmërisë dhe grupeve mbështetëse të pavarësisë.
"Në Katalonjë u detyruam të bëjmë gjëra që nuk i dëshirojmë"
Prefekti i Katalonjës i qeverisë spanjolle, Enric Millo, në lidhje me ndërhyrjen kundër referendumit të pavarësisë që ishte planifikuar të zhvillohet pavarësisht se është shpallur i paligjshëm në rajonin autonom të Katalonjës, tha se, "U detyruam të bëjmë gjëra që nuk i dëshirojmë".
Derisa ndërhyrja e policisë dhe xhandarmërisë së Spanjës ishte duke vazhduar në qendrat e votimit, Millo dha deklarata për gazetarët.
Ai duke treguar se në asnjë mënyrë nuk kanë ndërhyrë ndaj katalonasve, tha se "Jemi duke ndërhyrë për kutitë dhe fletëvotimet. U detyruam të bëjmë gjëra që nuk i dëshirojmë".
Ndërkohë u njoftua se në ngjarjet dhe përplasjet e ndodhura mes mbështetësve të pavarësisë dhe forcave të sigurisë në Barcelonë dhe Girona ka të plagosur.